Po garonin në aksin Kuç-Qeparo, çiklistët përplasen me njëri-tjetrin, 2 prej tyre rëndë

VLORË– Disa çiklistë janë përplasur në aksin Kuç-Qeparo teksa garonin në edicionin e 81-të të turit çiklistik të Shqipërisë. Mësohet se 3 persona janë lënduar dhe 2 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

Mësohet se njëri prej çiklistëve është holandez. Aktualisht janë çuar me autoambulancë drejt spitalit të Himarës.

Do shikohet gjendja e tyre dhe më pas mund të dërgohen drejt spitalit të Vlorës apo të Tiranës. Mësohet se çiklistët janë përplasur me njëri-tjetrin.

Çiklistët u përplasën teksa po kryenin etapën e katërt të këtij edicioni, etapë e cila përfshin itinerarin Vlorë-Himarë-Llogara.

‘Rreth orës 14:40, në aksin rrugor Kuç-Qeparo, gjatë itinerarit të garës të etapës së katërt të Turit të 81-të Çiklistik të Shqipërisë, 3 prej çiklistëve dyshohen se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletave dhe si pasojë kanë dalë nga rruga. Të tre çiklistët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.’, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.

Edicioni i 81-të i çiklizmit startoi më datë 20 të këtij muaji nga sheshi ‘Skëndërbej’ në Tiranë. Aktualisht, zhvillohet etapa e katërt dhe pritet të zhvillohet dhe etapa e pestë dhe e fundit e cila starton nesër në orën 10:00 nga Vlora për në Fier.

Përveç ekipeve shqiptare marrin pjesë edhe 12 ekipe të huaja nga Holanda, Danimarka, Anglia, Serbia dhe shtete të tjera./albeu.com


Shtuar 23.05.2024 16:24