Në një takim me kryebashkiakët e vendit, i cili po mbahet në kryeministri, kreu i qeverisë i ka quajtur sulme videot e postuara në mediat sociale, të cilat tregojnë një numër të ulët turistësh në plazhet e vendit.
Saakq, Rama tha se faktet flasin ndryshe.
Ai bëri me dije se Komisioni Evropian i udhëtimeve në një klasifikim të publikuar disa ditë më parë, ka rendisur Shqipërinë në vendin e parë për sa i përket rritjes së fluksit të turistëve.
Rama: “Është shumë e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm që ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare. Te gjithë janë të habitur dhe të skandalizuar nga shumë video, lajme, komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu nuk ka ardhur njeri. Faktet janë në terren. Nuk është ky shqetësimi kryesor, që të merremi me ata që janë pjesë e këtij sulmi të organizuar. Ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botës, erdhi dhe me sfida të reja, sfida që janë gjithnjë e më komplekse.
Sivjet para pak ditësh Komisioni Evropian i udhëtimeve nxori një kalsifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të fluksit të turistëve. Pastaj vijnë Serbia, Mali i Zi, Greqi, Turqia, ndërkohë që shumë nga vendet perëndimore janë me rënie. Pjesë e këtij sulmi është dhe një përpjekje shumë e ulët për të thënë që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë. Fakti është që nga janari deri në qershor ka 1.7 milion hyrje të shqiptarëve të Kosovës, ose 25% më shumë se vjet”.
Sa i përket rritjes së çmimeve, Rama deklaroi se qeveria dhe Bashkitë nuk kanë gjë në dorë. Por, u kërkoi kryebashkiakëve që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me bizneset, në mënyrë që çmimet gjatë sezonit turistik të jenë të arsyeshme.
Rama: “Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin dot çmimet, as të hoteleve, as të restoranteve dhe nuk i kontrollojnë dot. Rritja e palogjikshme e kostove vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Po të ishte kaq kollaj, do ta kishte bërë gjithë bota këtë sport. E kanë bërë dhe kanë marrë mësime të hidhura. Përpara se të jetë vonë është shumë e rëndësishme të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme”.