Pirlo: E dija për takimin mes Agnellit dhe Allegrit, Dybala rikthehet në dispozicion

Juventus ditën e nesërme ka një impenjim të rëndësishëm në kampionat teksa do të zhvillojë ndeshjen e prapambetur me Napolin. Një sfidë e cila luhet për një vend në Champions League, duke qenë se tashmë të dyja skuadrat janë larg pretendimeve për titull.

Ndërkohë, në konferencë për shtyp, ka folur edhe trajneri Andrea Pirlo posti i të cilit është vënë në diskutim për shkak të rezultateve dhe hija e Alegrit është prezente. Vetë, Pirlo ka deklaruar se është në dijeni për takimin e presidentit me Alegrin, por nuk është i shqetësuar.

“Nuk kam marrë asnjë pozicion për takimin mes Anjelit dhe Alegrit. Presidenti vetë më lajmëroi se do të takohej me Alegrin. Përtej futbollit, ato kanë një miqësi dhe kështu e shoh si diçka normale. Është si të shkoja unë në një darkë me Maldinin dhe ditën tjetër të shkruanin se do të bëhesha trajner i Milanit”.

Dibala? “Paulo është mirë, është stërvitur me grupin dhe nuk ka më dhimbje kur godet topin. Kthehet në dispozicion dhe është bukur ta kem të gatshëm për nesër. Por, është normale të mos i ketë 90 minuta në këmbë sepse është jashtë prej tre muajsh. Por, ta kemi gati për ne do të thotë shumë”, u shpreh Pirlo.


Shtuar 6.04.2021 05:04