“Piranjat” godasin sërish: Tregtia e drogës lulëzon në mes të Tiranës, shpërndarësi pranon se ka korruptuar zyrtarin e lartë

“Piranjat” i janë rikthyer edhe njëherë temës që ndoqën dy javë më parë, ku u zbulua se tregtia e drogës lulëzonte jo vetëm nëpër cepat dhe lagjet e Tiranës, por edhe në zemër të kryeqytetit.

“Piranja” Rovena Cerka zbuloi me detaje aktivitetin e përditshëm të një shpërndarësi, siç quhet rëndom, një 30-vjeçar që “tregtinë” e zhvillon në një nga zonat me të frekuentuara të kryeqytetit, “Parku Rinia”.

Me të mbërritur në pikëtakim, shpërndarësi i ofron gazetares së Piranjave një sasi kokaine vetëm për ta provuar, kërkesë e cila ndeshet në refuzim të prerë. Megjithatë insistimi i tij vazhdon pa rezultat, por si një strategji për të tërhequr më shumë njerëz në përdorimin e drogës.

Ai madje nuk frikësohet as nga makina e policisë që kalon aty pranë, duke zbuluar se ka nga ata policë që “rrotullohen me një 20-ëshe apo 30-ëshe.”

Me të fituar besimin, shpërndarësi tregon se më parë ka qenë i dënuar për tentativë për vrasje, pasi ka plagosur dikë që i kishte ngacmuar motrën. Ai, si shumë shpërndarës të tjerë, është gjithashtu përdorues droge.

Më tej ai fillon ta prezantojë gazetaren edhe me pjesëtarë të tjerë të grupit, një pjesë ë të cilëve kanë detyrën të survejojnë zonën dhe t’i ruajnë krahët njëri-tjetrit.

Edhe pse në një zonë me policë të shumtë ata duket se nuk frikësohen dhe nuk u hyn në sy fakti që mund të kalojnë disa orë në komisariat.

Detajet më tronditëse janë ato që zbulohen në vijim. Shpërndarësi, I cili duhet të paraqitet në shërbimin e provës, tregon se ka paguar drejtues të këtij institucioni, të cilët kanë pranuar ryshfet.

Ai thotë se nga një herë në muaj, ai tashmë paraqitet vetëm një herë në 3 muaj dhe nëse nuk shkon është drejtori ai që “i rregullon punët”.

Sa të vërteta janë këto pretendime, mbetet në dorën e drejtësisë dhe institucioneve të tjera për t’u verifikuar. /abcnews.al


Shtuar 13.11.2022 21:26