Përgjigje për Ramën? Kraja: Askush nuk mund t’u tregojë prokurorëve çfarë të hetojnë

Kreu i SPAK, Arben Kraja gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve te Kuvendi ka thënë se “Asnjë nuk mund t’u thotë prokurorëve çfarë të hetojnë”.

Kjo mund të jetë një përgjigje për kryeministrin Edi Rama, i cili në mënyrë të vazhdueshme përsërit thirrjen e tij për SPAK të nisë hetim për presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Kraja, i pyetur drejtpërdrejt se cili është reagimi i tij ndaj thirrjeve të Ramës, ka thënë se nuk dëshiron të bëjë komente, ndërsa kujtoi dispozitat ligjore, duke theksuar edhe njëherë se ata veprojnë me kallëzime.

“Po i referohem kodit të procedurës penale. Është një dispozitë që nënpunësit publikë janë të detyruar të bëjnë kallëzim kur konstatojnë elementë të veprës penale. Në kompleksin e luftës kundër kriminalitetit nuk mund t’i kërkohet një strukture të vetme të bëjë gjithçka.

Ne vlerësojmë çdo opinion të partnerëve, kuvendit dhe njerëzve për të ndërtuar punën tonë. Askush nuk mund ti thotë një prokurori që duhet të hetosh këtë apo atë çështje penale. Prioritete janë të lidhura edhe me ngarkesën, apo personat e arrestuar”, tha Kraja./albeu.com


Shtuar 20.05.2022 11:30