Përfundon para kohe takimi mes Vladimir Putin dhe Joe Biden

Ka përfunduar para kohe takimi i Presidentit Amerikan Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin, i cili duhej të zgjaste 5 orë, por zgjati vetëm 3 orë e gjysëm.

Biden dhe Putin u takuan së pari të shoqëruar nga Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe disa përkthyesë.

Dy seanca shtesë janë planifikuar të mërkurën pasdite ndërsa udhëheqësve pritet që t’i bashkohen edhe disa këshilltarë.

Delegacioni i SHBA përfshin Sekretarin Amerikan të Shtetit Blinken, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, Nënsekretarin e Shtetit për Çështjet Politike Victoria Nuland, Ambasadorin e SHBA në Rusi John Sullivan dhe ekspertët Eric Green dhe Stergos Kaloudis.

Delegacioni rus do të përfshijë, ministrin e Jashtëm rus Lavrov, këshilltarin e punëve të jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, zëvendësin e Lavrov, Sergei Ryabkov, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse Gjeneral Valery Gerasimov, ambasadorin rus në Uashington Anatoly Antonov, si dhe të dërguarit e Kremlinit për Ukrainën dhe Sirinë dhe zëdhënësin e Putinit, Dmitry Peskov.

Ndërkohë bëhet me dije se ka ndodhur një incident me përleshje fizike mes gazetarëve amerikanë dhe sigurimit rus.Reporterët të ardhur nga SHBA posaçërisht për takimin në Gjenevë vërshuan për të hyrë brenda dhomës ku zhvillohet takimi Biden-Putin. Ishte lajmëruar se vetëm disa gazetarë do të lejoheshin, por sigurimi rus vendosi shiritin e kuq para tyre duke përdorur dhe forcë për t’i shtyrë ata.

Fox News thotë se pamja ishte kaotike dhe Biden me Putin panë gjithë skenën. Qëllimi i sigurimit rus ishte mos lejonin gazetarët amerikanë të futeshin brenda dhomës, por ata përdorën edhe forcën duke shtyrë dhe kapur prej rrobash gazetarët.

Të pranishëm kanë qenë dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë që u bënë thirrje agjentëve rusë të ndalonin menjëherë.


Shtuar 16.06.2021 17:40