Përcillen në banesën e fundit 3 viktimat e atentatit në Memaliaj

Këtë të hënë, janë përcjellë për në banesën e fundit 3 viktimat e atentatit me armë zjarri në Mamaliaj të Tepelenës. Atentati ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ku mbetën të vdekur 74-vjeçari Shqyqyri Kalemi 9objektivi i sulmit), 35-vjeçari Gledian Muka (kamerieri i lokalit) dhe 47-vjeçari Marsel Çela (klient në lokal), si dhe u plagos shtetasi Artur Kalemi.

Ngjarja ndodhi në një lokal në lagjen nr.3 pas godinës së Bashkisë Memaliaj.

Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili nuk i mbijetoi dot plumbave.

Ndërsa i plagosuri Artur Kalemi, është xhaxhai i Andrea Kalemit. Viktima, Shyqyri Kalemi, siç e thamë më lart është babai i Adriatik dhe Zamir Kalemit, të afërm të Aleksandër Sadikajt të vrarë me eksploziv në Tiranë në korrik 2022.

Dyshohet se autorët kanë qenë të paktën 3 persona, të cilët kanë ardhur me makinë të zezë nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit.

Një prej tyre ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të Shyqyri Kalemit, i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit.

Pas atentatit, autorët janë larguar në drejtim të Mallakastrës, ku në fshatin Bejaj kanë djegur makinën me të cilën kryen atentatin.

Historia e konfliktit

Adriatik Kalemi, dyshohet të ketë qenë personi për shkak të të cilit ndodhi atentati në Memaliaj pak përpara mesnatës, si shkak i hasmërive të mëparshme.

Biznesmeni Kalemi në vitin 2001, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge, pasi akuzohej bashkë me vëllain e tij për vrasjen e Mevlan e Adriatik Çaçës.

Ai ka qenë i dyshuar gjithashtu, për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë. Atentat ky i ndodhur në dhjetor të vitit 2022, i cili dyshohet se u vra per hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

Sadikaj është vrarë në qershor të vitit 2022, me shpërthim eksplozivi në autostradën Tiranë-Elbasan.

Vetë Adriatik Kalemi, raportohet se i ka shpëtuar dy atentateve në Greqi. Fillimisht, ai i shpëtoi një atentati ishullin Paksos ku ishte me pushime.

Atentati i dytë ndodhi në momentin që Kalemi po përgatitej të linte burgun për të fituar lirinë, pasi u ndalua për shkak të problemeve që kishte me drejtësinë.

Ai u qëllua me thikë nga një i burgosur nga Egjipti.

Ndërsa në Janar të këtij viti në Unazën e Tiranës, iu be atentat nga nje makinë në lëvizje vëllait të Adriatik Kalemit, Zamir Kalemit i cili po lëvizte me një makinë smart. Nga kjo ngjarje ai mbeti i plagosur.


Shtuar 22.07.2024 12:24