Për herë të parë që kur u shënuar rasti i pare i Covid-19 mëse dy vjet më parë, sëmundje që pati pasoja fatale në jetët e njerëzve, vdekjet në vend zbritën në nivelin e para-pandemisë.
Sipas treguesve demografikë të INSTAT, në tremujorin e dytë 2022 u regjistruan gjithsej 5,916 vdekje, me një rënie prej 19.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte shënuar dhe niveli më i lartë rekord i vdekshmërisë në vend në perudhën përkatëse.
Por, edhe në raport me mesataren 2016-2019 të tremujorit të dytë, vdekjet ishin 2.6% më të ulëta, një tendencë rënëse që shënohet për herë të parë që nga tremujori i dytë i vitit 2017 (shiko grafikun Vdekjet, Tremujori i dyte, 2011-2022).
Mjeku pneumolog Petrit Malaj thotë se kjo tendencë shpjegohet me dy faktorë. Së pari, në tremujorin e dytë të vitit pothuajse nuk kishte raste me Covid-19 dhe si rrjedhojë nuk kishte vdekje direkte. Ndërsa arsyeja e dytë lidhet me faktin që në kohën e pandemisë u shënuan dhe shumë fatalitete të personave që kishin predispozita të sëmundjeve të ndryshme, duke u shkurtuar jetën.
Për 6 mujorin e pare të këtij viti, fatalitetet ishin gjithsej 12.8 mijë, duke shënuar një rënie prej 21% në krahasim me të njëtën periudhë të një viti më parë, kur ishte rekordi i humbjeve të jetës si rrjedhojë e valës agresive në muajt e parë të 2021.
Por, në raport me mesataren përkatëse 2016-2019, vdekjet mbeten 9% më të larta, si rrjedhojë e fataliteteve në rritje me periudhën e para pandemisë në tremujorin e parë të këtij viti.
Vdekjet u rritën në 2020-2021
Në periudhën 2020-2021, ashtu si gjithë bota vendi u përball me një rritje të ndjeshme të vdekshmërisë shtesë si rrjedhojë e pandemisë.
Në vitin 2020 u shënuan gjithsej 27.6 mijë humbje jete, me një rritje prej 26.4% në raport me mesataren e 2016-2019.
Në vitin 2021, vendi pa nivelin më të lartë të fataliteteve të regjistruar ndonjëherë, duke arritur në 30.5 mijë (INSTAT ka rishikuar lehtë në ulje vdekjet në tre tremujorët e fundit të 2021 në publikimin e fundit). Në krahasim me mesataren e 2016-2019, fatalitetet në 2021 u rritën me gati 40%, duke shënuar rritjen e tretë më të lartë kumulative në Europë nga fillimi i pandemisë, pas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Deri në fund të tremujorit të parë, vdekjet shtesë në vend që nga fillimi i pandemisë arritën në rreth 16 mijë, ose 4.7 herë më shumë se fatalitetet e deklaruara zyrtarisht nga institucionet./Monitor