Një incident me armë zjarri në Biddeford, New England, ku ishin të përfshirë agjentë të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE), përfundoi me vdekjen e një personi të martën.
Të lidhura
None found
Konfirmimin e lajmit e dha Ryan Fecteau, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të New England, i cili theksoi se hetimet për zbardhjen e rrethanave tashmë kanë filluar nga autoritetet shtetërore.
Në një njoftim të shpërndarë në Facebook, Fecteau deklaroi: “Një person ka humbur jetën. Në incident është përfshirë ICE. Policia e Shtetit dhe Departamenti i Sigurisë Publike po mbledhin prova në vendin e ngjarjes dhe pritet që FBI t’i bashkohet hetimeve.”
Zyrtari shtoi se këto janë aktualisht të dhënat e vetme dhe se do të sigurojë informacione të reja sapo institucionet kompetente të bëjnë të ditura hollësi të mëtejshme.
Kjo ngjarje pason vetëm pak ditë pas një rasti tjetër në Houston, ku një emigrant me origjinë meksikane u qëllua për vdekje nga një oficer federal i emigracionit gjatë një ndalese në trafik. Ai rast nxiti protesta dhe thirrje të forta për rritje të transparencës dhe llogaridhënies nga organet e rendit.
Ndërkohë, rrjeti CNN njoftoi se u ka kërkuar një qëndrim zyrtar Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave si dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, por deri në këto momente nuk ka pasur asnjë reagim prej tyre.
