Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i është kundërpërgjigjur ministrit Ulsi Manja, duke e cilësuar atë si mbrojtës të kryeministrit Edi Rama dhe duke e paralajmëruar se drejtësia mund të trokasë edhe në derën e tij.
Në replikën e tij, Bardhi sqaron se padia e dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga opozita nuk ka në shënjestër reperin Kanye West, por kreun e qeverisë.
Të lidhura
None found
“Nuk e kemi çuar në SPAK Kanye-n, por Edin. Arsyeja është se Edi ka keqpërdorur funksionin duke derdhur 4.2 milionë euro nga arka e shtetit si para qesje për një koncert privat”, thekson Bardhi. Ai i bën thirrje Manjës të mos e mashtrojë kryeministrin për gjendjen e tij ligjore dhe shton se edhe ministri duhet të nisë përgatitjet për t’u përballur me SPAK-un.
Përtej kësaj, deputeti demokrat hedh në tryezë dy pyetje publike për ministrin e Drejtësisë, duke kërkuar transparencë mbi lidhjet e tij me sipërmarrësin Paulin Rajta. Sipas Bardhit, ndërhyrja për të siguruar licenca në shkelje të ligjit përbën krim, ndërsa pozita rëndohet akoma më shumë nëse kjo ndërhyrje është e lidhur me emërime në poste shtetërore.
“Ulsi Manja, mes rolit të naivit dhe hetimit të SPAK-ut. E kam të vështirë të dalloj nëse e luan me lehtësi pjesën e budallait, por di me siguri që sot ia ka arritur majës së performancës”, shkruan Bardhi, duke iu drejtuar drejtpërdrejt ministrit. “Tani që mbase je më i qetë për Kanye-n, të paktën mos i shkurto të vërtetën Edit për pozitën e tij penale dhe bëhu gati vetë për të dalë para SPAK-ut!”
Në vijim, Bardhi e sfidon Manjën të tregojë guxim për t’iu përgjigjur, përpara se ta bëjë këtë në prokurori, dy pyetjeve konkrete: “Çfarë marrëdhënie ke me Paulin Rajtën?” dhe “A i ke bërë presion Belinda Ballukut që t’i mundësohej atij përfitimi i një HEC-i në qarkun e Dibrës?”
“Kur nuk interpreton rolin e servilit për hesap të Edi Ramës, ti e di fort mirë se presioni për dhënie licencash në kundërshtim me ligjin është vepër penale. Dhe kur kjo bëhet për një biznesmen të cilin më vonë, si Ministër Drejtësie, e emëron në krye të Policisë së Burgjeve, përgjegjësia penale bëhet edhe më e madhe”, përfundon Bardhi, duke i kujtuar Manjës se as servilizmi nuk e mbron dot përjetë dhe se SPAK-u së shpejti mund t’i trokasë në shtëpi.
