Partia Demokratike: Beleri u dënua me prova false

Sekrtari për Çështjet Ligjore në PDIvi Kaso, tha sot para mediave se “në të gjithë këtë aferë të turpshme të eleminimit të kundërshtarit politik, SPAK ka “thyer rekordin” e tij: SPAK pranoi të shqyrtonte një ҫështje të cilën e gatoi me prova të falsifikuara policia “që duam” e Edi Ramës.

SPAK më tej, refuzoi të gjitha provat dërrmuese dhe kërkesat legjitime të kërkuara nga Fredi Beleri në seancë, edhe pse faktet tregonin katërcipërisht që cështja ishte e montuar, me dëshmi që nuk ekzistonin, mbi dokumenta që u provuan të ishin të falsifikuara.

Por nuk mbaron këtu: SPAK “u kujdes” të ushtronte presionin e duhur ndaj trupit gjykues, i cili refuzoi me gjakftohtësi të gjitha provat e ofruara nga mbrojtja, të cilat provonin se cështja ishte e sajuar dhe montuar vetem për qëllimin politik të rrëmbimit të Bashkisë së Himarës nga Edi Rama.

Ky proces kaq i mbrapshtë politik, ka frymëzues Edi Ramën dhe ekzekutor Policinë e Shtetit dhe SPAK. Qëllimi është rrëmbimi i tokave të himariotëve, masakra me tokat e bregut të detit, toka të cila do t`i vihen shpejt në dispozicion “investitorëve strategjikë” të Edi Ramës.

Për këtë kryetari i Bashkisë Himarë nuk duhet të lejohet të betohet, edhe pse është shkelje flagrante kushtetuese. Për këtë Fredi Beleri duhet të dënohet edhe pse provat e falsifikuara kundër tij janë qesharake. Për këtë SPAK del garant duke bërë atë cfarë kërkon interesi politik dhe ekonomik i klanit të Ramës.

Kjo aferë kaq banale dhe e shëmtuar flet shumë, jo vetëm për standardin e zgjedhjeve që mbahen në Shqipëri, por mbi të gjitha për “heronjtë tanë të antikorrupsionit”, që të bardhën e nxijnë dhe të zezën e fshijnë.

Këta heronj, që për opozitën kanë marrë kallashin dhe po e masakrojnë në emër të drejtësisë së re rilindase, për qeverinë që me korrupsionin e saj po copëton dhe shkatërron vendin, prodhojnë indulgjenca.

Ne jemi dëshmitarë të standardit shkatërrues që SPAK dhe gjyqsori i tij po aplikojnë. Ne shohim sesi ëndrra e merituar e shqiptarëve për drejtësi të pakapur është zhbërë. Ne shohim sesi proceset e SPAK janë qartazi politike dhe aspak drejtësie. Dhe si ne e shohin të gjithë shqiptarët.

Ne duam drejtësi sepse jemi shumë të interesuar për të, por nuk mund të heshtim kur na shesin sapunin për djathë.

Ne jemi këtu për të thënë të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo. Ne nuk do lejojmë që Shqipëria të zhbëhet nga Edi Rama dhe qeveria e tij. As nga instrumetat që ajo përdor për të nënshtruar opozitën.

Prandaj në 20 shkurt, të gjithë në shesh për ti thënë jo korrupsionit, jo keqqeverisjes, jo drejtësisë së kapur, jo rrënimit ekonomik dhe shpopullimit të vendit. O Sot, o Kurrë!


Shtuar 14.02.2024 14:34