Aksidentet janë kthyer në shkakun kryesor të vdekjeve në Shqipëri ku për shkaqe të ndryshme shqiptarët janë duke u vrarë rrugëve duke qënë drejtues makinash, pasagjerë apo thjesht kalimtarë.
Vetëm një natë më parë, në aksin Belsh-Cerrik mbeti i vdekur në një aksident rrugor Nderim Bakiaj. Dyshohet se shkak i aksidentit ishte mungesa e ndriçimit në këtë aks si edhe problemet e shkaktuara nga moti i keq.
Ky aks është një ndër më problematikët, sidomos pjesa nga Papri për në dalje të lagjes së quajtur Fermë në drejtim të Belshit, ku edhe ndodhin aksidente të vazhdueshme.
Vetëm një muaj parë, në të njëjtin aks mbeti i vdekur një 60-vjeçar, aksident shkak i të cilit ishte mungesa e ndriçimit dhe sinjalistikës në rrugë.
Aksidentet janë një fenomen i përhershëm në këtë pjesë të rrugës që lidh Elbasanin me Belshin. Vazhdimisht banorët kanë bërë thirrje për vendosjen e ndriçimit dhe sinjalistikës, por ARRSH as që e ka kthyer vëmendjen aty, ndërsa policia mjaftohet duke vendosur gjoba përmes postblloqeve nëpër cepa rrugësh.
Ndërkohë që institucionet shtetërore tregohen të papërgjegjshme, qytetarët humbasin jetën rrugëve për shkak të mungesës së ndriçimit dhe sinjalistikës, kurse shoferët duhet të vuajnë pasojat e investimeve të pabëra nga ata që kanë për detyrë mirëmbatjen e rrugës. /albeu.com