Panik në Mal të Zi! Alarm për bomba në disa komuna e shkolla

Kërcënimet për bomba kanë arritur në adresat e komunave Nikshiq, Tivar, Bijelo Polje dhe Berane, në Mal të Zi.

Mediat malazeze raportojnë se është evakuuar godina e Bashkisë së Tivarit, ku ndodhet edhe gjykata, prokuroria, si dhe ambientet e partisë.

Kryetari i Komunës së Nikshiqit u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, duke shkruar në Facebook se “është e tmerrshme që dikush në këtë mënyrë kërcënon jetë njerëzish”.

Ai ka thënë se ka dalë i fundit nga godina e Komunës, pasi të gjithë punonjësit janë evakuuar.

“Ne presim që autoritetet të bëjnë pjesën e tyre dhe të shohim se çfarë do të ndodhë më pas. Shpresoj se deri nesër do të marrim informacione se ndërtesa është e sigurt dhe se do të mund të kthehemi në punë,” tha Kovaçeviç.

Në Berane është evakuuar edhe godina e pushtetit vendor.

Kryetari i Komunës, Tihomir Bogavac, ka thënë se objekti është evakuuar sipas rekomandimeve të policisë.

Mëngjesin e sotëm janë evakuuar të tri shkollat ​​fillore të qytetit, si dhe tre shkolla të zonës rurale për shkak të emaileve që kanë mbërritur në adresat e shkollave për vendosjen e lëndëve plasëse./albeu.com