Osmani: Në Kosovë nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se në territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Ai ka thënë se një vendim i tillë do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht nenin 4 dhe nenin 6 të aneksit 2.

Osmani i ka konsideruar këto deklarata si kërcënime të hapura për agresion policor dhe ushtarak.

“Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

Presidentja e Kosovës e ka dënuar edhe plagosjen e një zyrtari policor në rajonin verior më 8 dhjetor, duke e konsideruar një akt të tillë si veprim kriminal.

Policia ka thënë se njësitë që kanë qenë në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata” nga një veturë me targa KM.

Sipas autoriteteve shëndetësore, ai është jashtë rrezikut për jetën.

Osmani ka dënuar edhe sulmet ndaj gazetarëve, pas njoftimit se në mëngjesin e 9 dhjetorit, në pjesën veriore është sulmuar një ekip i mediumit kallxo.com.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ky ekip është sulmuar nga “një grup i maskuar i serbëve në afërsi të Shkollës Teknike”.

Osmani ka bërë thirrje që autoritetet e drejtësisë të mbajnë përgjegjës personat e përfshirë në këto akte.

Ditëve të fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, por pa pasoja në njerëz.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Përfaqësuesit e saj kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të BE-së në Bruksel.

Blloku evropian ka thënë po ashtu se palët duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që çojnë deri te tensionet në Kosovë dhe që të gjitha mospajtimet t’i adresojnë përmes dialogut./rel