Osmani: Kemi ofertë të qartë të dielën, Teuta Arifi në Tetovë, Shilegovi në Shkup

BDI raundin e parë të zgjedhjeve lokale e vlerësoi si një prej zgjedhjeve më të suksesshme deri më tani për partinë, me votat e fituara dhe imponimin e agjendës së gjelbër, ndërsa pritet sukses edhe në raundin e dytë në Tetovë, Gostivar dhe në komunat ku kanë kandidatë për kryetarë komunash.

Për Shkupin mbështetje i japin kryetarit aktual dhe kandidat për mandat të ri të LSDM-së dhe koalicionit, Petre Shilegov.

“Për ne të BDI-së këto janë ndër zgjedhjet më të suksesshme deri më tani. Edhe këtu nuk flas për rezultatin e arritur në raundin e parë me mbi 120.000 vota dhe disa pozita të fituara të kryetarëve të komunave, por për suksesin e partisë të imponojë një mendim të ri politik, ofertë krejtësisht të re e cila është shumë e rëndësishme edhe për zhvillimin dhe për komunat dhe për zhvillimin e mbarë shtetit. Krahas rezultatit ne jemi krenarë që agjenda e gjelbër u imponua si narrativ i obligueshëm politik në të gjithë shoqërinë, proces i cili hyn në një fazë të parashikueshme të strukturuar prej të cilit nuk ka kthim mbrapa. Përkundrazi me suksesin të cilin e presim edhe në raundin e dytë, agjenda e gjelbër bëhet obligim edhe për përfaqësuesit e pushtetit lokal, ndërsa edhe për Qeverinë dhe institucionet e tjera dhe faktorët shoqërorë”, tha në konferencën e sotme për shtyp, zëdhënësi i partisë Bujar Osmani.

Ai shprehu kënaqësi që kanë pasur, siç thotë, fushatë të gjerë informative dhe kompetitive në të cilën qytetarët kanë fituar pasqyrë reale për të gjitha ofertat, ndërsa vetë fushata ka qenë korrekte me mundësi të barabarta që secili ta prezentojë ofertën e vet. Qytetarët, tha ai, kanë mundësi të sjellin vendim të informuar dhe duhet ta dinë se të dielën kanë përzgjedhje rreth një oferte dhe koncepti të qartë nga njëra anë dhe koalicioni akoma i pakuptueshëm me qëllim të paqartë ideologjik dhe politik.

“Ne dhe koalicioni jonë i gjerë kemi ofertë të qartë – Teuta Arifi në Tetovë në programin e së cilës ndodhen projektet më të rëndësishme të agjendës së gjelbër, nga stacionet e filtrimit, gazifikimi i qytetit e deri në realizimin e Korridorit 8. Në të njëjtin drejtim është edhe zgjedhja e Nevzat Bejtës për Gostivarin, kandidat i vlefshëm, punëtor dhe i suksesshëm i cili jo vetëm se do të sigurojë perspektivë të re për Gostivarin, por edhe do ta paraqesë edhe një lloj garancie në të gjitha investimet në rajonin e Pollogut”, thotë Osmani, duke shtuar se kjo ka të bëjë edhe me të gjithë kandidatët e tyre – në Çair, Haraçinë, Zhelinë, Kërçovë, Dibër, Strugë, Vrapçisht, Tearcë dhe Çashkë.

Ai porositi se për secilin kandidat të BDI-së qëndron obligimi i imponuar nga agjenda e gjelbër dhe obligimi i ndërmarrë para qytetarëve në këto zgjedhje. Kjo është zgjedhje e mirë jo vetëm që siguron garanci për agjendën e gjelbër në komunat tona, por, siç theksoi edhe garanci për imponin e saj të thellë në të gjitha rrjedhat shoqërore.

Dhe jo më pak e rëndësishme, sipas Osmanit është edhe zgjedhja kryetarit të kryeqytetit, duke shprehur mbështetje për kryetarin aktual Petre Shilegov.

“Shkupi është kryeqyteti i shtetit dhe qytet i cili është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e rinj. Petre Shilegov e dëshmoi pikërisht këtë, se Shkupi mund të jetë qytetar i të gjithë qytetarëve të tij. Në katër vitet e kaluara pamë se çfarë do të thotë zhvillim i barabartë i qytetit pa dallim nëse në disa rajone të caktuara jetojnë shqiptarë apo maqedonas, nëse jetojnë turq, romë, boshnjakë, serbë dhe vllehë. Shkupi bëhet qytet i të gjithëve, qytet për të gjithë dhe këtë duhet ta ruajmë. Kjo është e rëndësishme për ne sgkupjanët, por kjo është e rëndësishme edhe për ambientin e përgjithshëm multikulturor në shtet”, theksoi Osmani në konferencën e mbajtur në ditën e fundit të fushatës zgjedhore para votimit të së dielës.

Në pyetjen e gazetarëve rreth suksesit të pushtetit lokal në Tetovë, Osmani vlerësoi se ka shumë paragjykime dhe perceptim të gabuar, duke theksuar se punët në një qytet i cili zhvillohet asnjëherë nuk mbarojnë, ndërsa ky zhvillim duhet ta ndjekë infrastrukturën e re.

“Në Tetovë në këto tetë vite janë bërë projekte të mëdha. Në Tetovë sot nuk flitet për nevojën e ujësjellësit dhe kanalizimit, por shqetësimet kryesore të qytetarëve janë problemet teknike në ujësjellësin dhe kanalizimin e sapondërtuar. Tetova dhe Teuta Arifi janë garanci për një qytet të zhvilluar modern dhe evropian. Për dallim nga opsioni që ofrohet për ndasi dhe për kthimin mbrapa dhe për pozitën e paqartë lidhur me zhvillimin e qytetit. Mendoj se qytetarët e bënë këtë zgjedhje në raundin e parë. Teuta Arifi doli fituese në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale dhe me këtë shumica e qytetarëve kanë dëshmuar se besojnë në punën që e ka realizuar dhe japin mbështetje për edhe një mandat, që të kompletohet zhvillimi i një qyteti evropian modern i cili është pjesë e agjendës së gjelbër”, deklaroi Osmani.

Lidhur me koalicionin e Aleancës për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-së, Osmani vlerësoi se bëhet fjalë për një koalicion ideologjik dhe politik tërësisht të paqartë, i cili është joparimor, i cili bazohet në oportunizmin dhe pragmatizmin e pastër politik, pa qëndrim të qartë lidhur me të ardhmen e shtetit.


Shtuar 29.10.2021 17:32