Opozita maqedonase vazhdon të insistojë në kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare, në të kundërtën do të ketë bllokadë të tërësishme të institucioneve.
“T’i qasemi bllokadës së tërësishme të institucioneve, rrugëve, gjithë shtetit, që përfundimisht të realizohet qëllimit të cilin e duan të gjithë në këtë shtet përpos pushtetit, ndërsa ajo është zgjedhje të parakohshme parlamentare”.
Nga ana tjetër, partitë në pushtet vlerësojnë se gjatë kësaj periudhe, presin nga të gjitha partitë politike përgjegjësi, punë dhe përkushtim në tejkalimin e pasojave nga krizat globale.
“Qytetarët janë kundër bllokadave dhe destruksioneve dhe presin zgjidhje për problemet e shkaktuara nga kriza ekonomike botërore”.
Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi vendit i duhet mobilizim dhe organizim më i mirë se si të ballafaqohemi me krizat dhe se si t’i menaxhojmë ato.
“Zgjedhje në këtë situatë nuk ofrojnë zgjidhje. Përpara nesh ka një mision shumë më fisnik për qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Cili është misioni!? Ne duhet t’i fillojmë negociatat për anëtarësimin evropian.”.
Sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësim, Ahmeti shtoi se është optimist se ajo do të ndodhë deri në fund të qershorit, do të gjendet zgjidhje për hapje të negociatave, marrë parasysh angazhimin e aleatëve dhe partnerëve të vendit, përfshirë këtu edhe lehtësimin e ndërmarrë nga presidenti francez, Emanuel Makron.