Po transportonte dy pakistanezë drejt kufirit, arrestohet 58-vjeçari nga Shkodra

Policia e Shkodrës ka finalizuar me operacionin e koduar “Hoti 2”, ku është goditur me sukses veprimtaria e dhënies ndihmë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sipas uniformave blu një 58-vjeçar është vënë në pranga, pasi me automjetin e tij transportonte dy shtetas pakistanezë, të cilët do t’i nxirrte jashtë kufirit territorial të Shqipërisë.

Njoftimi i policisë:

Operacioni, i zhvilluar nga strukturat e DVKM Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në DVP Shkodër.

Transportonte 2 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 58-vjeçari.

Strukturat e DVKM Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Shkodër, pas një pune të mirorganizuar, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalimin të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Hoti 2”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-T. B., 58 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke qarkulluar në aksin rrugor “Bajzë – Hot”, me një automjet tip “Ford”, me të cilin transportonte 2 emigrantë pakistanezë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit nga ana e tyre, me destinacion final vendet e BE-së.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./albeu.com

Shtuar 20.06.2022 16:51