Opozita denoncon aplikacionin “Aktivisti”, SPAK nuk i pranon kallëzimin

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ditën e stome ndodhej në SPAK për të dorëzuar kallëzimin lidhur me aplikacionin “Aktivisti”.

Bylykbashi tha se SPAK nuk e mori në dorëzim për shkak të “procedurave burokratike”.

Ai i ka bërë thirrje SPAK që të ndalojë dhe vërë para përgjegjësisë personat që po shkelin të drejtat e zgjedhësve. Në gjykimin e deputetit demokrat është cenuar sekreti dhe liria e votës. “Aktivisti” është një aplikacion kriminal më i keq se patronazhistët, sipas tij.

Bylykbashi: Erdhëm në SPAK për ta dorëzuar, për fat të keq SPAK nuk e mori në dorëzim. Kanë vendosur procedura burokratike. Ne do ta çojmë përpara këtë kallëzim. Ka të bëjë me kontrollin e zgjedhësve, me një kontroll sistematik, me një plan kriminal që ka burimin drejtpërdrejt nga kryeministri, nga këshilli i ministrave, i shtrirë në të gjithë administratën. Ne kërkojmë që nëpërmjet veprimit energjik të SPAK të ndalen dhe vihen para përgjegjësisë të gjithë këta individë që po dhunojnë të drejtat e zgjedhësve.

I bie barra këtij institucioni të krijojë një situatë ku ndoshta zgjedhësit të kenë besim në një proces zgjedhor të brutalizuar. Është cenuar sekreti dhe liria e votës. Përdorimi i këtij aplikacioni kriminal është shumë më keq se patronazhistët. Ne i kemi dorëzuar provat që kemi në dispozicion. Është barra e prokurorisë të hetojë më thellë dhe të vërë para përgjegjësisë penale jo vetëm ata që kemi kallëzuar por dhe të gjithë personat e tjerë të përfshirë. E tërë administrata është në një presion maksimal për të ndikuar në votë.

Detyrë e SPAK-ut t’i vërë para përgjegjësisë ata dhe për të dhënë një mesazh të qartë që zgjedhjet mbrohen. Presim pa burokracinë që ndeshëm sot, ku SPAK-u nuk pranoi ta merrte në dorëzim drejtpërdrejt, megjithatë do ta depozitojmë me postë që të mos ketë asnjë alibi dhe të veprojë./Albeu.com/


Shtuar 24.03.2023 14:55