Policia e Tiranës ka përmbyllur operacionin e koduar “Organizatori”, në kuadër të të cilit është goditur një veprimtari e dyshuar e trafikimit të qenieve njerëzore. I arrestuar është shtetasi egjiptian A. H., 34 vjeç, banues në Krujë, i cili dyshohet se organizonte dërgimin e emigrantëve në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave zyrtare, 34-vjeçari kishte ngritur një skemë për të shmangur kontrollet policore. Ai nuk i lëvizte emigrantët në grupe, por i transportonte individualisht drejt zonave kufitare, me qëllim që të mos tërhiqte vëmendjen në rrugë.
Të lidhura
None found
Pas informacionit të siguruar në rrugë operative, strukturat policore kanë ndërhyrë duke e kapur egjiptianin në flagrancë. Ai u ndalua në autostradë, pranë Rinasit, ndërsa po udhëtonte me automjet drejt Shkodrës së bashku me një bashkëatdhetar të tij, të cilin dyshohet se do ta ndihmonte të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme.
Gjatë ndërhyrjes, policia i ka sekuestruar telefonin celular në cilësinë e provës materiale. Pajisja pritet të ndihmojë në evidentimin e komunikimeve dhe personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi, i cili dyshohet se vepronte kundrejt pagesave të konsiderueshme.
“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. Po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi,” njoftoi zyrtarisht Policia.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e veprimeve ligjore.
