Gentjan Handraj alias Gentjan Hotaj, 39 vjeç, i lindur në Koplik, është arrestuar përkohësisht në Malësi të Madhe, pasi kërkohej ndërkombëtarisht nga drejtësia spanjolle. Kapja e tij u bë gjatë operacionit policor të koduar “Fast”, të zhvilluar nga strukturat e specializuara të FAST Albania në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Lokalizimi dhe arrestimi i 39-vjeçarit erdhën pas shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional ndërmjet Policisë së Shtetit dhe homologëve spanjollë, në kuadër të përpjekjeve për gjurmimin e personave që tentojnë t’i shmangen drejtësisë.
Të lidhura
None found
Handraj rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid. Më 8 korrik 2026, vetëm pak ditë më parë, autoritetet gjyqësore të Spanjës kishin vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Në dosjen hetimore spanjolle, ai akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Nga hetimet e zhvilluara në Spanjë dyshohet se veprimtaria e paligjshme ishte organizuar në mënyrë të strukturuar dhe synonte tregtimin e shpërndarjen e substancave të ndaluara përmes një grupi të organizuar kriminal.
Pas arrestimit dhe shoqërimit të 39-vjeçarit, Interpol Tirana nisi menjëherë procedurat zyrtare. Në koordinim të ngushtë me autoritetet spanjolle po kryhen veprimet e nevojshme ligjore për ekstradimin e tij sa më shpejt drejt Spanjës, ku do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.
