Policia ka vënë në pranga dy persona në Vaun e Dejës, të cilët janë vëlla e motër dhe dyshohen se kanë kultivuar bimë narkotike në fshatin Kroni i Madh.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni policor i koduar “Monitorimi” u përmbyll pas kontrolleve intensive në terren dhe hetimeve të zhvilluara me metoda proaktive, me fokus evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si edhe identifikimin e autorëve.
Të lidhura
None found
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Kroni i Madh, u zbuluan të mbjella një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa. Pjesa më e madhe e tyre u asgjësua me djegie, ndërsa një pjesë tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve P. P., 33 vjeç, dhe A. P., 43 vjeçe, banues në fshatin Kroni i Madh, të dyshuar si autorë të kultivimit.
Po ashtu, materialet iu referuan Prokurorisë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. D., 51 vjeç, kryeplak i fshatit Kroni i Madh, dhe N. G., 56 vjeç, vrojtues pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Policia bën të ditur se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me synim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
