Kreu i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, deklaron se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë të përgatitura të rrezikojnë jetën e policëve të tyre që shërbejnë në këtë mision, për të mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj.
Në një intervistë për KosovaPress, që është edhe e fundit e tij si shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Barbano thekson se EULEX-i, në cilësinë e reaguesit të dytë në Kosovë, është i gatshëm të veprojë kur kjo të jetë e nevojshme. Sipas tij, ky përbën një mesazh politik me rëndësi të madhe.
Të lidhura
None found
Barbano: Shtetet e BE-së janë gati ta rrezikojnë jetën e policëve të tyre për ta mbështetur Kosovën
“Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, ndërsa KFOR-i është reaguesi i tretë. Në mes tyre, EULEX vepron si reaguesi i dytë i sigurisë, me kërkesë të qartë të Policisë së Kosovës, nëse situata e kërkon. Duke e bërë këtë, ne ushtrojmë rolin tonë si reagues i dytë në përputhje me vullnetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme të rrezikojnë jetën e policëve të tyre që shërbejnë në EULEX për të mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj. Ky është një mesazh politik shumë i rëndësishëm që duhet kuptuar. Do të thotë se ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë nëse është e nevojshme”, thotë Barbano për KosovaPress.
Ai shton më tej se EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar në kontributin për ruajtjen e sigurisë, ndërsa bën të ditur se ekzistojnë edhe mekanizma për sigurimin e përforcimeve nga njësitë rezervë policore, nëse paraqitet nevoja.
Barbano: Nëse ka nevojë, mund të marrim përforcime nga njësitë rezervë për ruajtjen e sigurisë
“Shpresojmë që të mos ketë nevojë për këtë, por kemi gjithashtu mekanizma për të marrë përforcime nga njësitë rezervë policore të siguruara nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë. Ne mbetemi të përkushtuar për të kontribuar në përpjekjet për ruajtjen e sigurisë. Në këtë drejtim kemi përmirësuar mekanizmat për trajnim të përbashkët dhe shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit, si dhe kemi rritur ndërveprueshmërinë tonë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Kjo ka dëshmuar efektivitet në disa raste”, nënvizon ai.
