OBSH na “pret” shpresat: Fundi i pandemisë jo afër, Omicron do të sjellë variante të reja

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë një paralajmërim për liderët botërorë se pandemia e koronavirusit “nuk është afër fundit”.

Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus doli dhe kundër supozimit se varianti i ri dominues i Omicron është dukshëm më i butë dhe ka eliminuar kërcënimin e paraqitur nga virusi.

Deklaratat e tij vijnë pasi disa vende evropiane po shohin numra rekord të rasteve, me Francën që raportoi gati gjysmë milioni raste të reja ditore të martën.

Duke folur gjatë një konference për shtyp në selinë e OBSH-së në Gjenevë, Dr Tedros u tha gazetarëve se varianti Omicron kishte çuar në 18 milionë infeksione të reja në të gjithë botën gjatë javës së kaluar.

Ndërsa varianti mund të rezultojë të jetë më pak i rëndë mesatarisht, “rrëfimi se është një sëmundje e lehtë është mashtruese,” tha ai.

“Mos bëni gabim, Omicron po shkakton shtrime në spital dhe vdekje, madje edhe rastet më pak të rënda po përmbytin objektet shëndetësore.”

Ai paralajmëroi udhëheqësit globalë se “me rritjen e pabesueshme të Omicron në nivel global, ka të ngjarë të shfaqen variante të reja, kjo është arsyeja pse gjurmimi dhe vlerësimi mbeten kritike. Unë mbetem veçanërisht i shqetësuar për shumë vende që kanë shkallë të ulët të vaksinimit, pasi njerëzit janë shumë herë më të rrezikuar nga sëmundje të rënda dhe vdekje nëse nuk janë të vaksinuar,” shtoi ai./albeu.com

Shtuar 19.01.2022 08:09