Nuk i dhanë para për “shërbimet”, zbulohen detaje nga porosia e policit për vrasjen e 2 personave

Një megaoperacion i zhvilluar më 4 tetor në Durrës, çoi në pranga 14 persona.

Mes të arrestuarve ishte dhe polici i burgjeve, Flamur Bejko.

Bejko i kishte paguar 3500 euro paradhënie vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj (të arrestuar) për të vrarë 2 persona me të cilët kishte një konflikt të hapur.

Dy personat që do ekzekutoheshin nga Gentian dhe Indrit Beqiraj, janë S.Z dhe I.H.

Abc ka mësuar detaje të reja në lidhje me “porosinë.”

Bejko është konfliktuar në ambientet e burgut. Bëhet fjalë për një ngjarje ku efektivi i burgjeve ka qenë i përfshirë në tregtinë e lëndëve narkotike në burg dhe furnizonte njërin prej personave, S.Z.

Polici i kërkonte para dhe në momentin që nuk është paguar është konfliktuar me njërin prej tyre.

Të dy personat e kanë rrahur, i kanë marrë pistoletën dhe ia kanë hedhur në koshin e plehrave.

Për t’i ekzekutuar, vëllezërit Beqiraj dyshohet se do të përdornin 4 kallëpe tritol.

Nga ana tjetër, Bejko  ka mohuar deklarimet e vëllezërve Beqiraj që kanë thënë para hetuesve se ai i kishte porositur dhe parapaguar për të vrarë dy persona që e kishin rrahur.

Në dëshminë e tij, polici ka treguar se shumën prej 3500 euro ia ka dhënë vëllezërve sepse njëri prej tyre ia ka kërkuar me qëllim për të plotësuar dokumentet e banimit në Greqi.

Ndërkohë, policia dyshon se Bejko kërkoi vrasjen e dy personave në fjalë pasi kishin konflikte me njeri-tjetrin.

Njoftimi i policisë më 4 tetor 2022

“Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022”, thuhet njoftimin e policisë./Abcnews.al