Erion Veliaj është kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, mbi të cilin rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale. Pas arrestimit të tij më 10 shkurt të vitit 2025, nisi menjëherë një fushatë sulmi mediatik ndaj prokurorit Ols Dado, si dhe gjyqtarëve.
Veliaj shpeshherë ka theksuar se prokurori Ols Dado ka nisur hetimet se është në konflikt interesi, por ende nuk ka publikuar dokumentin me firmën e Ols Dados dhe refuzimin me firmën e tij për shtesën mbi lejen e ndërtimit për të cilën ai e akuzon për konflikt interesi.
Një tjetër pretendim i Veliajt ka qenë edhe fakti që hetimet ndaj tij kanë nisur nga një letër anonime nga një person i vetëquajtur Nesti Angoni. Por si qëndron e vërteta?! CNA sot do të sjellë skemën se si kanë nisur hetimet për Veliajn.
SKEMA ËSHTË E TILLË
Fillesa është eurodeputeti Fredi Beleri, ky i dënuar për korrupsion në zgjedhjet e majit 2023. Pas arrestimit, Fredi Beleri bëri një denoncim për ish-kryebashkiakun Jorgo Goro, ish-ministren Olta Xhaçka dhe bashkëshortin e saj, Artan Gaçi. Fredi Beleri e kallëzoi në SPAK Jorgo Goron, Olta Xhaçkën dhe Artan Gaçin, duke kërkuar hetim për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të falsifikimit të dokumenteve në lidhje me tjetërsimin e tokave në Himarë dhe dhënien e statusit të investitorit strategjik për çiftin Gaçi-Xhaçka në një pronë që, sipas tij, ishte marrë në mënyrë të paligjshme. Pas hetimeve, dosja e Jorgo Goros kaloi për gjykim dhe u dënua me burg.
Çfarë ndodh?
Gjatë hetimeve për Jorgo Goron, shtetases Adela Kondakçiu iu mor telefoni. Nga dorëzimi i telefonit të saj para drejtësisë u zbardhën komunikimet. Nga komunikimet rezultuan të dhëna për çiftin Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj. Pra, në hetimet për Goron, iu mor telefoni financieres së tij Adela Kondakçiu, e cila është ish-financierja e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj dhe u zbuluan të dhëna për aktivitetin e çiftit Veliaj-Xoxa. Pra, kjo është fillesa e hetimeve ndaj Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës, janë të dhënat që janë gjetur në telefonin e ish-financieres Adela Kondakçiu që është bërë dhe e penduar e drejtësisë.
Nuk është Nesti Angoni siç pretendon Erion Veliaj, as prokuri Ols Dado, por fillesa është një hetim që ka çuar në një tjetër hetim.
Pra, gjatë hetimeve për Jorgon Goron nga komunikimet e zbardhura në telefonin e Adela Kondakçiut, që ishte financierja e të dyja palëve, u evidentuan edhe të dhënat për çiftin Veliaj-Xoxa. Kjo është historia dhe lidhja. Nuk janë as Nesti Angoni dhe as Ols Dado, por skema është e tillë, Fredi Beleri-kallëzimi për Goron-marrja e telefonit të Adela Kondakçiut, financierja e dy palëve-zbardhja e komunikimeve-të dhënat për Veliajn-Xoxën.
Në rast se nuk do të ishte bërë skema për arrestimin e Belerit, ndoshta tani të gjithë do të ishin në shtëpi, duke nisur nga Beleri, Goro, Veliaj, Xoxa etj. Në fund të kësaj skeme, na vjen në mendje një shprehje e njohur: “Kush i bën gropën tjetrit bie vetë brenda”. Dhe, ky është rasti që e provon.
Mbi Erion Veliajn rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim të produkteve të veprës penale, shpërdorim detyre, mosdeklarim pasurie dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli. Tashmë në gjykatë janë 60 mijë faqe me fakte dhe prova për të gjitha veprat penale, të cilat rëndojnë mbi të dhe Veliaj prej 15 seancash po përdor teknikalitete dhe makinacione të ndryshme për të zvarritur proceset gjyqësore.
Nga frika e përballjes me drejtësinë nga skutat e errëta të burgut të Durrësit lobon 220 mijë dollarë së bashku me vëllain e tij kundër SPAK-ut dhe prokurorëve. Veliaj është lënë në burg nga të gjitha nivelet e gjykatave, ndërsa ende tenton që me justifikime të shtyjë gjykimin e tij./CNA
