Një ilaç i ri zgjon “shpresat” për pacientët me kancer

Edhe pse i testuar vetëm në një provë të vogël klinike një ilaç i ri zgjon shpresat për pacientët me kancer.

Një provë të vogël klinike me 18 pacientë, që morën për rreth gjashtë muaj ilaçin Dostarlimab, ka zgjuar shpresa të mëdha tek mjekët dhe pacientët e sëmurë me kancer. Sipas Dr Luis A. Diaz J. nga Qendra e Kancerit “Memorial Sloan Kettering” në Nju-Jork tek të 18 pacientët tumorët u zhdukën përfundimisht. Ai tha se kjo ishte “hera e parë në historinë e kancerit”.

Edhe pse testi sa i përket numrit të pacientëve ishte shumë i vogël, ai ka rritur shpresat se kanceri mund të largohet nga trupi i një pacienti pa nevojën e kimioterapisë ose kirurgjisë.

Pacientët që morën pjesë në provën me Dostarlimab, kishin bërë më parë trajtime të ndryshme, por nuk kishin arritur të shëroheshin.

Pacientët raportuan për pak ose aspak efekte anësore nga ky mjekim.

Mjekimi identifikon qelizat e kancerit, duke lejuar sistemin imunitar të trupit t’i shkatërrojë ato në mënyrë natyrale.

Disa ekspertë thonë se nevojitet një provë më e madhe.

“Ajo që unë me të vërtetë do të doja të bënim është një provë më e madhe, në të cilën ky ilaç të përdoret në një mjedis shumë më të larmishëm për të kuptuar se cila do të jetë shkalla reale dhe e vërtetë e përgjigjes ndaj mjekimit”, tha për NPR Dr. Hanna Sanoff nga Universiteti i Karolinës së Veriut, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri shkakton rreth 10 milionë vdekje në vit./DW


Shtuar 14.06.2022 13:59