Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestën gjatë një takimi me ish-të përndjekurit politikë, të mbajtur në selinë blu.
Fjalën e tij ai e mbajti në aktivitetin e organizuar nga Departamenti i të Përndjekurve Politikë në PD, me titull “Krimi të mos bëhet harrim”, ku u ndal te zhvillimet politike dhe protesta qytetare që vijon prej më shumë se një muaji.
Të lidhura
None found
Berisha theksoi se përfundimi me sukses i protestës përbën një detyrim ndaj viktimave të diktaturës dhe martirëve të lirisë.
“Duhet të bëjmë gjithçka që të finalizohet me sukses misioni i saj. Kontributi i gjithsecilit është i jashtëzakonshëm. Ky është nderimi më i madh që ne u bëjmë martirëve të lirisë, të rënëve të kombit”, tha Berisha.
Ai e akuzoi qeverinë Rama për autoritarizëm dhe u shpreh se shqiptarët duhet të jenë gati për një “betejë vendimtare” për ta ndryshuar situatën politike në vend.
“Edi Rama para gjithë botës tashmë është një tiran. Por tiranët kurrë nuk ikin vetë. Ndaj dhe çdo shqiptar dhe shqiptare duhet të jetë i përgatitur për betejën vendimtare me këtë regjim, për të shpëtuar Shqipërinë”, u shpreh kreu i PD-së.
Sipas Berishës, përballja me qeverinë aktuale lidhet edhe me një përgjegjësi ndaj së ardhmes së vendit dhe brezave të rinj.
