Nikoll Lesi i mahnitur: Basha zgjodhi një ekip brilant, e rrafshoi fare Berishën

Nikoll Lesi ka mbetur i mahnitur nga emrat e Kryesisë së re të PD-së.

Sipas tij, ata janë njerëz të Bashës, jo të Berishës. Ai shton se ky është ekipi më brilant që ka ndërtuar ndonjëherë PD.

Shkrimi i plotë i tij:

“Sot dolën emrat e kryesisë së re të PD.

Nga votimi duket se kanë dalë emra përfaqësues dhe dukshëm profesionistë e të kulturuar.

Kjo është për t’u përgëzuar, pasi PD mbetet shpresa e vetme për një mundësi ndryshimi politik në vend.

Edhe LSI duket se është në proces rinovimi dhe ndryshimi strategjik te mënyrës se si duhet të mbetet forcë e tretë politike me efekte balancuese në politikën shqiptare.

Dorëheqja e djeshme e Luan Ramës ishte me shumë mesazh thirrje ndërgjegjes së kësaj force politike se duhen emra me përfaqësues nga shoqëria civile që të mbushin boshllëkun e krijuar nga kolpo elektorale e 25 prillit.

Lulzim Basha ndonëse ndau shumë ofiqe partiake dje por me sa kuptohet nga kryesia e re e sotme e PD, ai duket se ka vepruar me një diplomaci djallëzore, tip holandeze. U ka dhënë nga një “qofte” pjesës së vjetër në PD, dhe u ka marrë përfundimisht vendimmarrjen.

Kjo është meritë e tij.

Dhe duhet pranuar se ka lëvizur mes një teatri me male tropojane drejt rrafshimit të majës jezerciane, të cilën e kishte të ngulur mu në oborrin e selisë blu!

E shkërmoqi këtë majë mali që nuk e linte të ulej lirshëm në oborrin e PD.

Emrat e kryesisë së re janë për t’u admiruar. Dikush tha mbrëmë se duket ekip i mirë por për të luajtur butë.

Mundet të jetë ashtu, por nëse Basha kombinon ekipin, forcën e popullit opozitar si dhe te rikrijojë besim nderkombëtar, mund t’ia arrijë të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Shqiptarët janë të shqetësuar për fatin e afganëve pasi mbetet njerëzore ndihma, por pikësëpari janë të drobitur nga halli i jetës së familjeve të tyre.

Ndaj Basha mund e duhet të jetë Udhëheqës popullor me këtë ekip brilant që u votua dje.”, shkruan Lesi./albeu.com


Shtuar 31.08.2021 15:31