Ngrihet flamuri i BE në oborrin e Kryeministrisë, Rama: Pas hapjes së negociatave, rrugë bëhet edhe më sfiduese

Është ngritur flamuri i BE-së në oborrin e Kryeministrisë, pas çeljes së negociatave një ditë më parë.

Kryeministri Edi Rama në ceremoninë zyrtare, ku të pranishëm ishin zyrtarë të BE-së, ambasadorja Yuri Kim dhe bashkëshortja e tij,  ka mbajtur një fjalim.

“Shumë të dashur qytetarë dhe qytetare, shqiptarë dhe shqiptare. Sot është një ditë e re për Shqipërinë dhe ju falenderoj ju që jeni këtu për ceremoninë e ngritjes, pas çeljes së negociatave. Prania juaj këtu është më shumë se një prani protokollare, pasi ju me institucionet që përfaqësoni jeni kontributorë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë

Ngritja e këtij flamuri shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel.

Ky moment shënon ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me rregullat dhe vlerat evropiane.

Do të kisha dashur sot që këtu të ishte dhe opozita, jo sepse pasi ky nivel i ri marrëdhëniesh kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Por sot opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe logjikën e Bashkimit Evropian që nga minim i demokracisë dhe korrupsioni dhe një pjesë tjetër e cila nuk është damkosur, por edhe po i ftove nuk vijnë se kanë frika nga e para.

Unë e di se mes përfaqësuesve të vendeve mike dhe aleatë ka disa që i gëzohen kësaj arritjeje historike më shumë se disa syrre mes nesh që nxijnë si shpirti i tyre. Dua jo vetëm t’i falënderoj sot për gjithçka bënë që negociata të hapen dhe Shqipëria të ngjitet në rrugën drejt majës ku populli shqiptar meritor, dua edhe t’i kërkoj ndjesë për gjithçka që i kanë dëgjuar veshët nga gojët e shthurura të Shqipërisë.

Dikush me siguri mund të thotë se mund të evitoja disa fjalë, por ngritja e flamurit të BE-së në ballë të kësaj godine, nuk është sibolizim i fundit. Rruga jonë nuk bëhet më e lehtë, por shumë më sfiduese. Fryma e ndryshimit hyn në një thellësi të re”, tha Rama.


Shtuar 20.07.2022 08:45