Nga të rriturit tek fëmijët, ministria e Jashtme zbulon masat për të hyrë në Greqi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar sot një njoftim zyrtar sipas të cilit, nga data 19 dhjetor deri më 10 janar të vitit që vjen, të gjithë ata që duan të vizitojnë shtetin grek duhet të jenë të pajisur me test PCR 72 orë ose test të shpejtë 24 orë para udhëtimit.

Sipas njoftimit në fjalë, masa vlen për të rriturit dhe fëmijët mbi 5 vjeç, pavarësisht nga vaksinimi, ndërkohë që, mbetet në fuqi rregulli që të gjithë udhëtarët që hyjnë në territorin e Republikës së Greqisë, duhet të plotësojnë formularin elektronik PLF (Passenger LocatorForm), në adresën elektronike https://travel.gov.gr, me të dhënat e tyre të kontaktit në Greqi, përpara mbërritjes.

Njoftimi zyrtar i Ministrisë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton masat e reja të vendosura nga Greqia, për hyrjet në vend. Duke filluar nga data 19 dhjetor 2021, ora 06:00 deri në datë 10 janar 2022, ora 06:00, të gjithë ata që udhëtojnë drejt Greqisë, pavarësisht kombësisë, pavarësisht në qoftë se janë të vaksinuar ose kanë qenë të diagnozuar me COVID-19, janë të detyruar të paraqesin:

Test negativ PCR, kryer brenda 72 orëve, përpara udhëtimit. OSE Test të shpejtë antigjenik, kryer brenda 24 orëve para udhëtimit. Të gjithë udhëtarët që hyjnë në territorin e Republikës së Greqisë, duhet të plotësojnë formularin elektronik PLF (Passenger LocatorForm), në adresën elektronike https://travel.gov.gr, me të dhënat e tyre të kontaktit në Greqi, përpara mbërritjes.

Masa vlen për të rriturit dhe fëmijët mbi 5 vjeç, pavarësisht nga vaksinimi. Pikat kufitare të Kakavisë, Kapshticës dhe Qafbotës funksionojnë gjatë 24 orëve. Pika kufitare e Tre Urave funksionon nga ora 08:00 deri në orën 20:00. Ky rregull i vendosur nga Ministria greke e Shëndetësisë, vjen si masë për parandalimin e përhapjes së variantit të ri të pandemisë, Omicron.

 

Shtuar 17.12.2021 13:35

Tags: