Nesër vijnë “çunat e Londrës”, Balluku mburret në prag fushate me Aeroportin e Kukësit

Ministrja Belinda Balluku ka shkuar sot në Kukës, ku sipas saj do të zbrezin në Aeroportin e ri.

Ajo u shpreh se nga informacionet që ka nesër do të bëhet ulja e avionit të parë në aeroportin “Flatrat e veriut”, me çunat nga Londra siç tha ajo dhe do t’i presë kryeministri Rama.

Balluku zbuloi gjithashtu se fluturimi është promocional dhe nuk është paguar biletë.

“Mua më rezulton që po. Nga të gjitha të dhënat që kam nga konçesionari. Është fluturim promocional nuk është paguar biletë. Më rezulton se çunat e Londrës janë të rezervuar dhe në datë 18 ulen këtu, i pret kryeministri.

Ky është një aeroport i ndërtuar sipas të gjitha kritereve të aviacionit civil evropian. Jemi duke përfunduar detajet e fundit. Këtu punohet. Kanë mbetur detaje të vogla,” tha Balluku.

Më tej ministrja tha se destinacionet e para do të jenë disa qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe Italisë.

“Destinacionet e para bëhet fjalë për disa qytete të Zvicrës. I gjithë tregu është i interesuar oër këto destinacione por pa përjashtuar edhe Gjermaninë dhe disa qytetet italiane,” tha Balluku.

Shtuar 17.04.2021 10:06