Nëna e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë një lëvizje emocionuese për djalin e saj dhe dhe tre ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Liria jeni ju”, shkruhet në bluzën e nënës së Hashim Thaçit.
Sot në orën 14:00, qytetarët nga të gjitha komunat do të marshojnë në Prishtinë në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa gjykimi ndaj tyre do të fillojë nesër.
Ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë deklaruar se ish-krerët e UÇK-së nuk po përballen me akuza dhe procese gjyqësore për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por sepse emrat e tyre lidhen me luftën e Kosovës për liri.
Duke i cilësuar të pabaza akuzat dhe të padrejtë zvarritjen e hetimeve, organizatorët e marshimit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive. “E vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë.”-kanë thënë organizatorët Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli. Marshimi “Liria ka emër” do të nisë në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të mbyllet në sheshin “Skënderbeu” Marshimi mbahet një ditë para se të nisë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UCK në Hagë.
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.
Përveç partive opozitare, edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka mbështetur këtë iniciativë.
Më parë, organizatorët janë shprehur se “Marshi për drejtësi” është ideuar për ta ruajtur “të vërtetën për luftën e UÇK-së”.
/albeu.com/