Rasti Arlinda Zekaj, përgjegjësia institucionale dhe debati politik: A duhet të japë llogari edhe Gazmend Muhaxheri?

Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë ka shkaktuar tronditje të gjerë publike dhe ka rikthyer debatin mbi mënyrën se si institucionet mbrojnë gratë që raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë. Në disa qytete të Kosovës janë zhvilluar protesta, ndërsa qytetarët kanë kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet që, edhe pse ishin paralajmëruar, nuk ndërmorën masat e nevojshme për mbrojtjen e saj.

Pas ngjarjes, deklarata e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, nxiti reagime të shumta. Përfaqësues të ndryshëm kërkuan dorëheqjen e saj dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Gërvalla më pas sqaroi se fjalët e saj ishin një kundërpërgjigje ndaj deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, dhe kërkoi që rasti të mos përdorej për përplasje politike.

Të lidhura

None found

Debati tashmë përqendrohet te pyetja nëse përgjegjësia po largohet nga institucionet që kishin marrë njoftim për rrezikun ndaj Arlinda Zekajt dhe po zhvendoset drejt një konflikti politik. Në këtë kuadër, mbetet për t’u përcaktuar se deri ku shtrihet zinxhiri i përgjegjësisë për dështimin në mbrojtjen e saj.

Halilaj: Përgjegjësia duhet të përcaktohet nga faktet dhe kompetencat

Avokati Gazmend Halilaj vlerëson se tragjedia e Arlinda Zekajt nuk duhet të kthehet në mjet për përplasje politike. Sipas tij, përgjegjësia politike nuk mund të vendoset nga presioni publik apo llogaritjet partiake, por duhet të analizohet mbi bazën e fakteve, zinxhirit institucional të vendimmarrjes, detyrimeve ligjore, informacionit që ka pasur secili institucion dhe veprimeve ose mosveprimeve të tij.

Image

“Rasti i Arlinda Zekajt duhet të shërbejë si një moment reflektimi mbi përgjegjësinë institucionale, funksionimin e mekanizmave të sigurisë dhe detyrimin e shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Para çdo diskutimi tjetër qëndron një jetë e humbur dhe një tragjedi njerëzore që kërkon drejtësi, respekt dhe trajtim dinjitoz. Arlinda Zekaj nuk duhet të përdoret si instrument i përplasjeve politike. Është shqetësuese që një ngjarje kaq e rëndë shoqërohet menjëherë me kërkesa për dorëheqjen e ministrave, pa u shqyrtuar më parë qartë se cilat ishin kompetencat, përgjegjësitë dhe veprimet konkrete të institucioneve përkatëse. Përgjegjësia duhet të mbështetet në fakte dhe në atë se kush kishte detyrim ligjor të vepronte, çfarë dinte dhe çfarë bëri ose nuk bëri”, deklaron Halilaj.

Ai thekson se parimi i përgjegjësisë duhet të zbatohet ndaj çdo zyrtari, pa marrë parasysh partinë, postin apo nivelin e pushtetit. Për këtë arsye, sipas tij, shqyrtimi nuk duhet të kufizohet vetëm te institucionet qendrore, por duhet të përfshijë edhe Komunën e Pejës dhe kryetarin Gazmend Muhaxheri.

“Përgjegjësia individuale dhe institucionale duhet të vlejë për të gjithë. Nëse po kërkohet llogari nga institucionet qendrore, duhet të shqyrtohen edhe përgjegjësitë që mund të kenë qenë në kompetencën e komunës dhe të kryetarit Gazmend Muhaxheri. Kjo nuk do të thotë se dikush duhet të fajësohet automatikisht. Secili duhet të vlerësohet në bazë të kompetencave ligjore, informacionit që ka pasur dhe veprimeve që ka ndërmarrë ose nuk ka ndërmarrë”, shprehet avokati.

Halilaj kërkon kujdes edhe në vlerësimin e rolit të ministres Donika Gërvalla. Sipas tij, një ministër duhet të japë llogari për kompetencat dhe veprimet e veta, por nuk mund të shpallet automatikisht përgjegjës për çdo veprim apo mosveprim operacional të strukturave që kanë zinxhirë të veçantë profesionalë dhe ligjorë.

“Nuk është e drejtë që përgjegjësia politike të ndërtohet mbi supozime ose që dorëheqjet të kërkohen vetëm për shkak të përkatësisë në një qeveri të caktuar. Në një shtet demokratik, ministrat duhet të përgjigjen për detyrat dhe veprimet e tyre, por nuk mund të mbajnë automatikisht përgjegjësi për çdo rast që trajtohet nga institucione me struktura të veçanta profesionale dhe ligjore”, deklaron Halilaj.

Ai ngre gjithashtu çështjen e kufirit mes mbikëqyrjes politike dhe ndërhyrjes në punën operative të Policisë. Sipas tij, opozita nuk mund të kërkojë që ministrat të respektojnë pavarësinë operative të Policisë dhe njëkohësisht t’i kritikojë pse nuk kanë ndërhyrë në raste konkrete.

“Nëse ministrat do të kishin ndërhyrë drejtpërdrejt në punën operative të Policisë para kësaj tragjedie, a nuk do të akuzoheshin nga e njëjta opozitë për ndërhyrje politike në institucionet e sigurisë? Duhet të zbatohet një standard i vetëm. Mbikëqyrja politike, përgjegjësia institucionale dhe pavarësia operative janë koncepte të ndryshme dhe duhet të trajtohen me seriozitet juridik”, thekson ai.

Halilaj sqaron se mbështetja e tij për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Donika Gërvallën nuk përbën mbrojtje të pakushtëzuar politike dhe as përpjekje për t’iu shmangur llogaridhënies. Ai thotë se çdo qeverisje duhet të shoqërohet me drejtësi të pavarur, institucione funksionale dhe përcaktim të përgjegjësisë mbi prova.

“Nuk mund të pranoj standarde të dyfishta, ku llogaria kërkohet vetëm nga njëra palë politike, ndërsa institucionet e tjera përjashtohen nga analiza. Arlinda Zekaj meriton drejtësi dhe jo shfrytëzim politik, ndërsa familja e saj meriton të vërtetën dhe jo deklarata të kalkuluara partiake. Shteti ka nevojë për një hetim serioz e transparent, jo për një garë se kush do të kërkojë i pari dorëheqjen e dikujt. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por askush nuk duhet të shpallet përgjegjës pa u provuar përgjegjësia e tij konkrete. Ky parim duhet të vlejë për ministrat, Policinë, institucionet komunale, drejtuesit lokalë dhe çdo zyrtar publik. Kërkojmë të vërtetën, llogaridhënie të barabartë dhe drejtësi për Arlinda Zekajn”, përfundon Halilaj.

Mehmeti: Përgjegjësia duhet kërkuar te institucionet që ishin njoftuar

Opinionisti Gani Mehmeti i konsideron të panevojshme kërkesat për dorëheqjen e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës. Në vlerësimin e tij, dy ministrat nuk kanë qenë të përfshirë në trajtimin e rastit dhe nuk kanë pasur informacion paraprak për kërkesat e Arlinda Zekajt.

Mehmeti thotë se përgjegjësia duhet të kërkohet te strukturat që ishin informuar për rrezikun me të cilin përballej viktima, por nuk ndërmorën masat e duhura për ta mbrojtur. Ai vlerëson se protestat dhe kërkesat për llogari duhet të drejtohen te institucionet që kishin mundësi ta parandalonin tragjedinë dhe jo te dy ministrat.

“Protestuesit duhet t’u drejtohen institucioneve ku Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë dhe që e neglizhuan rastin, qoftë për shkak të mospunës apo mungesës së vullnetit për ta ndihmuar. Është veçanërisht e dhimbshme, sepse këto institucione kishin mundësi ta ndalonin vrasjen. Ajo u vra në duart e tyre, pasi nuk i dolën në ndihmë”, ka deklaruar Mehmeti.

Image

Sipas tij, përcaktimi i përgjegjësisë duhet të mbështetet te informacioni që kishin institucionet dhe te veprimet konkrete që ato ndërmorën ose nuk ndërmorën.

Mehmeti kundërshton në këtë kuadër kërkesat për dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës. Ai argumenton se asnjëri nuk ka qenë pjesë e procesit të trajtimit të rastit dhe, bazuar në informacionet që disponon, nuk ka qenë në dijeni për kërkesat e viktimës.

“Kërkesa për dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Xhelal Sveçla është e tepërt dhe e panevojshme, sepse ata nuk kanë qenë pjesë e këtij procesi. Nëse do të kishin qenë në dijeni dhe do të kishin mundësi të ndihmonin, por nuk do ta kishin bërë këtë, atëherë mund të flitej për përgjegjësi morale dhe përgjegjësi të tjera. Por ata nuk kanë qenë në dijeni për rastin e Arlindës dhe mund të jenë informuar nga mediat më herët sesa zyrtarisht”, ka thënë ai.

Opinionisti kërkon që hetimi i përgjegjësisë të ndjekë të gjithë zinxhirin institucional që kishte pasur kontakt me rastin. Ai përmend Prokurorinë në Pejë, prokurorët përgjegjës dhe Policinë e Kosovës.

“Zinxhiri i përgjegjësisë politike dhe i çdo përgjegjësie tjetër duhet të ndalet te personat dhe institucionet që ishin të njoftuara. Sipas asaj që është bërë e ditur, në këtë grup përfshihen kryeprokurorja e Pejës, e cila ishte informuar me shkrim përmes kërkesës së Arlindës, prokurorët e tjerë dhe organet e punëve të brendshme në Pejë. Në këtë përgjegjësi përfshihen edhe policët që nuk e trajtuan seriozisht rastin, edhe pse Arlinda i kishte paralajmëruar dhe i kishte lajmëruar me kohë”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai ngre edhe rolin e institucioneve lokale. Sipas tij, kryetari i Komunës së Pejës duhet të japë llogari nëse ka qenë i informuar për rastin. Nëse nuk ka pasur informacion ose kompetenca për të ndërhyrë, thotë Mehmeti, nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi pa u vërtetuar e kundërta.

“Përgjegjësia duhet të përcaktohet vetëm duke analizuar kompetencat dhe veprimet konkrete të secilit institucion. Nëse ministrat do të kishin ndërhyrë në punën e prokurorisë, gjyqësorit ose policisë para kësaj tragjedie, opozita do t’i akuzonte për ndërhyrje në institucionet e pavarura të sigurisë, ashtu siç ka bërë edhe më parë”, thekson ai.

Në përfundim, Mehmeti thotë se rasti i Arlinda Zekajt duhet të shërbejë si sinjal alarmi për institucionet e drejtësisë dhe sigurisë. Sipas tij, marrja e një detyre publike nënkupton edhe detyrimin për ta ushtruar atë me përkushtim dhe profesionalizëm.

Ai vlerëson se mosreagimi në kohën e duhur pati pasoja tragjike dhe se institucionet që kishin mundësi ta mbronin viktimën duhet të japin përgjigje për mosveprimin e tyre.

“Nuk mjafton pranimi i një detyre nëse ajo nuk kryhet me nder dhe përkushtim maksimal, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpëtimin e jetës. Në këtë rast, sipas tij, detyra nuk u përmbush siç duhet nga policia, gjyqësia dhe prokuroria, të cilat fatkeqësisht çuan në varr një grua dhe një nënë”, përfundoi Mehmeti.


Shtuar më 1.11.2026 10:12