“Në kujtim të Orielit” biblioteka në Bari merr emrin e 8-vjeçarit shqiptar që u përplas për vdekje natën e Krishtlindjeve

Biblioteka e shkollës fillore “De Gasperi” në Noicattaro, në provincën e Barit, i është kushtuar kujtimit të Oriel , një djali tetë vjeçar me origjinë shqiptare, i cili u përplas nga një makinë dhe vdiq natën e Krishtlindjeve në Foggia, teksa ishte me familjarët.

Kështu ka vendosur  të kujtojë instituti nxënësin e vogël, vdekja e të cilit ka tronditur të gjithë komunitetin e Nojanës, së bashku me prindërit dhe kryetarin e bashkisë së qytetit.

Kujtojmë se sipas rikonstruksionit të fakteve të siguruara nga kompania ‘Studio3A-Valore’ e cila ndoqi historinë e ngjarjes, vogëlushi kishte shkuar në Borgo Segezia për të festuar Krishtlindjet së bashku me disa të afërm.

Pas drekës, rreth orës 15:00, të gjithë dolën nga shtëpia për t’u përshëndetur, duke qëndruar pjesërisht në oborr dhe pjesërisht buzë rrugës. Orieli kishte hipur në makinën e të atit, me një top në duar. Por një kushëri më i vogël e ka thirrur dhe ai ka dalë nga makina, por duke qëndruar gjithmonë në anën e rrugë.

Në atë moment, sipas asaj që u raportua nga avokatët e familjes, makina e ka përplasur të voglin. Oriel, i hedhur disa metra tutje, u transportua me ambulancë në kushte të dëshpëruara në Poliklinikën e Foggia-s, por ndërroi jetë menjëherë pas mbërritjes.

Përveç babait dhe nënës, fëmija lë pas motrën e tij më të vogël 5 vjeç, gjyshërit, shumë të afërm dhe një boshllëk të  madh edhe tek shokët e klasës në klasën e tretë të shkollave Noicottaro.