Ndihmë Financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e Poliçanit/ Peleshi: Hap vendimtar

Ditën e sotme, Këshilli i Ministrave ka aprovuar projektvendimin për propozimin e projektligjit: “Për financimin e detyrimit të prapambetur të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan”.

Gjendja financiare e vështirë e ndërmarrjeve ushtarake, veçanërisht e Kombinatit Mekanik Poliçan, ka detyruar qeverinë të marrë masa për zgjidhjen e problemeve të mbartura, për punonjësit dhe ish-punonjësit e këtij kombinati.

Ministri Peleshi, pas mbledhjes së qeverisë theksoi se me aprovimin e këtij ligji në Kuvend, Ministria e Mbrojtjes do të sigurojë financim prej 83,800,000 lekë për Kombinatin Mekanik Poliçan për të mbuluar detyrimet e prapambetura të pagave të punonjësve.

Pagesat e prapambetura për punonjësit e Kombinatit mekanik të Policanit, do të shlyhen nga buxheti i shtetit. Lajmi u konfirmua nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ku njoftoi miratimin e pr/ligjit të posacëm për shlyerjen e këtyre detyrimeve.

“Kemi miratuar, pr/ligj për pagesat e prapambetura të ish punonjësve të Kombinatit mekanik të Policanit. Një lajm i shumë pritur nga dhjetëra punonjës të këtij kombinati.

Shqipëria është nga vendet e pakta në rajon që e ka të fjetur industrinë ushtarake. Ka nevojë për investime, investitorë, ndërmarrjet shtetërore i kemi në proces transformimi në Sh. A. për ta riaktivizuar përmes investimeve për të zhvilluar industri.

Ky pr/ligj do të marrë rrugën e vet drejt Kuvendit. Shoqëritë aksionere këto detyrime duhet t’i paguajnë vetë, supozohet që duhet të dalin me fitim. Ne nuk e inkurajojmë që detyrimet e akumuluara në vite nga Sh.a të bëhen praktikë të paguhen nga buxheti i shtetit, por ky është një rast specifik, ndaj miratuam këtë ligj të posacëm, mund të jetë një rastet e fundit, kur buxheti i shtetit merr përsipër të shlyejë këto detyrime.

Kemi marrë përsipër pagimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore të prapambetura për mbi 120 punonjës, bëhet fjalë për rreth 83 milionë lekë. Kemi parasysh Policanin, Mjekësin dhe Gramshin. Në Gramsh dhe Mjekës kanë një lloj aktiviteti që lidhen kryesisht me demontimin. Nuk kanë detyrime si në Polican.

Kemi interesime, nga investitorë të huaj, kanë parë potencialin e tyre. Duam të ndryshojmë nga ‘Shqipëria 1 euro’, te ‘Shqipëria partnere’ qoftë te investitorët e huaj, qoftë vendas”,- u shpreh Peleshi.