Ndalni aktet e frikësimit dhe lironi të arrestuarit/ Studentët shqiptarë të Harvardit në mbështetje të protestave në Shqipëri: E drejta për të protestuar pa frikë është shtylla e një shoqërie të lirë!

Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri, kanë marrë mbështetjen edhe të studentëve shqiptarë në Universitetin prestigjioz të Harvardit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Të lidhura

None found

Deklaratë nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Harvard

Si studentë shqiptarë në Harvard, po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Shqipëri. Distanca nuk e zbeh përkushtimin tonë ndaj të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe të ardhmes demokratike të vendit tonë.

Qëndrojmë plotësisht në mbështetje të studentëve, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. E drejta për t’u shprehur dhe për të kërkuar të drejtat pa frikë është shtylla kryesore e çdo shoqërie të lirë.

Ndajmë të njëjtin shqetësim për përdorimin e forcës disproporcionale, si dhe ndalimet e paligjshme të të rinjve e të miturve nga organet e rendit. Mbrojtja e qytetarëve dhe e fjalës së lirë duhet të jetë detyrë primare e shtetit, jo arsye për frikësim apo represion. Në të njëjtën kohë, bëjmë thirrje që protestat të ruajnë frymën e tyre paqësore dhe të qytetëruar, me qëllim që zëri i studentëve të mbetet i fuqishëm dhe dinjitoz.

I bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse në Shqipëri të ndërpresin menjëherë çdo akt frikësimi, të lirojnë të ndaluarit në mënyrë të paligjshme dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore personat që kanë tejkaluar kompetencat e tyre.