Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tensioneve të shënuara mbrëmjen e së martës përpara Kryeministrisë, duke denoncuar përmes një deklarate në rrjetet sociale dhunën që, sipas tij, iu ushtrua protestuesve.
“Stop terrorit dhe dhunës të Padrinos ndaj protestuesve paqësor!”, shkruan Berisha në fillim të reagimit të tij.
Të lidhura
None found
Berisha pretendon se gjatë protestës kryeministri Edi Rama i ka provokuar qytetarët nga ambientet e Kryeministrisë dhe më pas ka urdhëruar ndërhyrjen e forcave të policisë.
Në deklaratën e Partisë Demokratike thuhet se Edi Rama ka provokuar rëndë protestuesit paqësorë nga zyra e tij dhe ka urdhëruar, sipas saj, narko-policinë t’i sulmonte pa asnjë motiv me shkopinj, shkelma, topa uji dhe mjete të tjera.
PD pretendon gjithashtu se disa protestues janë lënduar dhe kanë marrë plagë si pasojë e dhunës policore, ndërsa të tjerë janë marrë forcërisht dhe pa asnjë shkak në rajonin e policisë.
Partia Demokratike shpreh solidaritetin me protestën rinore-qytetare, dënon dhunën që e cilëson të egër dhe të urdhëruar nga Padrino ndaj protestuesve, si dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar në polici.
