Një i ri nga Shqipëria është arrestuar nga autoritetet britanike në Angli pasi u kap në një ndërtesë të përshtatur si plantacion kanabisi pasi udhëtoi drejt vendit ilegalisht.
Mësohet se 19-vjeçari Besmir Sula kishte paguar rreth 4000 paundë për t’u futur kontrabandë në Britaninë e Madhe dhe kishin qenë të njëjtët persona që e ndihmuan me kalimin e kufirit ata që e punësuan në plantacionin e tyre të kanabisit.
Fillimisht i riu u mbajt në një qendër paraburgimi pasi hyri në vend me anë të një gomoneje tetorin e kaluar dhe më pas u transferua në një hotel të Home Office ku iu dha një telefon për të komunikuar me familjarët e tij.
Sipas britanikes DailyMail i riu u kontaktua nga një person në fshatin e tij, nga i cili kishte marrë hua paratë për udhëtimin e rrezikshëm dhe që kërkonte t’i shlyhej borxhi.
Sakaq, 19-vjeçari u largua nga hotel dhe u dërgua në një ndërtesë midis fshatrave të Cranbrook dhe Hawkhurst në Kent, ku ai punonte si “kopshtar” për rreth 500 bimë kanabisi./Albeu.com