Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ka bërë të ditur të shtunën se vendimi për kufizim të orarit të punës për disa kategori shoqërore, për shkak të temperaturave të larta, përfundon sot 20 korrik.
Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit, janë përballur në ditët e fundit me temperatura në gati 40 gradë Celsius.
Ministria ka thënë se parashikimet për javën tjetër, janë për temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme.
Gjithashtu, Ministria ka thënë se është konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Institutin Hidrometeorologjik, që do ta vazhdojë të monitorojë situatën klimatike.
Vendimi i marrë më 13 korrik, ka përfshirë gratë shtatzëna, të cilat janë liruar nga puna, ose u është mundësuar puna prej shtëpive.
Punëtorëve me sëmundje kronike u është kërkuar të punojnë me orar të shkurtuar, deri në katër ditë, ndërsa puna në ndërtimtari, në ambiente të hapura, është ndaluar nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
Megjithatë, Radio Evropa e Lirë, ka hasur gjatë javës në disa kompani të ndërtimtarisë në Prishtinë që nuk e kanë respektuar vendimin. Punëtorët janë parë duke nëpër vendpunishte në mesditë.