Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike të dhënat më të fundit për situatën e zjarreve në territorin e vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, deri në orën 16:00 janë evidentuar disa vatra zjarri, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër.
Të lidhura
None found
Për përballimin e situatës janë vënë në dispozicion 165 forca operacionale, mes të cilave 85 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacionet ajrore janë kryer gjithashtu 7 misione me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.
Në Dajt, në territorin e bashkisë Tiranë, flakët janë rikthyer në pyllin me pisha që ndodhet mbi tunelet e Qafë Mollës. Në ndërhyrje marrin pjesë 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së Tiranë, të mbështetura edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Puna për shuarjen e zjarrit vijon edhe në Priskë të Madhe, ndërsa aktualisht zonat e banuara nuk kërcënohen.
Vatra në Drenie të bashkisë Patos, e cila ishte konsideruar nën kontroll, është aktivizuar sërish në pjesën e thellë të pyllit. Për shuarjen e saj po përdoren 2 avionë Air Tractor, ndërsa në Drenie raportohet për një përmirësim të situatës.
Në Krujë po punohet për neutralizimin e dy vatrave aktive. Në lagjen Abaze, era ka ndihmuar përhapjen e zjarrit, por nuk raportohet rrezik për banesat. Në Krastë–Halil, gjendja u rëndua gjatë orëve të para të mëngjesit dhe rreziku për banesat u shtua. Pas ndërhyrjes së 2 helikopterëve, situata është normalizuar, ndërsa forcat operacionale vazhdojnë punën për vënien nën kontroll dhe shuarjen përfundimtare të flakëve.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon edhe në malin e Nëmerçkës, në bashkinë Përmet, ku vatra nuk përbën kërcënim për zonat e banuara. Një tjetër vatër është konstatuar në malin Dhëmbel, mbi fshatin Badilonjë, dhe forcat e MZSH-së Përmet po ndërhyjnë për ta shuar.
Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pyll pishe dhe kullotë. Ekipet në terren po punojnë me intensitet për eliminimin e vatrës.
AKMC dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë. Ato po monitorojnë situatën dhe koordinojnë ndërhyrjet në terren, duke u përqendruar veçanërisht te vatrat që mund të përhapen dhe te mbrojtja e zonave të banuara.
