Ministri i Jashtëm Ukrainës e thotë troç: S’ka territore për Rusinë në këmbim të paqes

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba në një konferencë të zhvilluar, u shpreh se mes Moskës edhe Kievit nuk po zhvillohen bisedime paqeje. Gjithashtu ai e mohon mundësinë e dhënies së territoreve në këmbim të një marrëveshjeje armëpushimi.

“Objektivi i Ukrainës në këtë luftë… është të çlirojë territoret tona, të rivendosë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin e plotë në lindje dhe jug të Ukrainës. Kjo është pika përfundimtare e pozicionit tonë negociues,” u shpreh ministri.

Ai shtoi po ashtu se bisedimet për paqen nuk po bëhen aktualisht “për shkak të pozicionit të Rusisë dhe agresionit të saj të vazhdueshëm ndaj vendit.”

Në një intervistë të botuar përpara bisedimeve në Stamboll ku përfshiheshin përfaqësues nga Ukraina, Rusia, Turqia dhe OKB-ja, Ministri i Jashtëm ukrainas tha po ashtu se mund jenë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për të rifilluar eksportet e grurit të bllokuar nga Rusia.