Minimumi jetik, Dhurata Çupi: Shqiptarët nuk do të kenë asnjë shpresë që të dalin nga varfëria

Në seancën e sotme plenare, deputetja Dhurata Çupi i bëri thirrje qeverisë që të miratohet minimumi jetik.

Ajo u shpreh se kjo qeveri e ka kthyer vendin në një poemë të madhe mjerimi, ndërsa shtoi se në 9 vite janë marrë borxh 4 mld euro, prej të cilave nuk është ndihmuar qytetari dhe as janë marrë masa për lehtësimin e jetesës për ta.

Dhurata Çupi:

Ju përmendni si arritje të madhe një rritje të papërfillshme të ndihmës ekonomike apo indeksimin e pensioneve. Është revoltuese si mund të talleni kaq rëndë me njerëzit, në një kohë kur çmimet rriten përditë dhe masat tuaj gjysmake janë gati të pavlera.

Është e pafalshme që ju, në 9 vjet në qeveri, keni marrë borxh rreth 4 miliardë euro, por nuk i keni përdorur ato për të luftuar varfërinë, për të nuk i keni përdorur për të rritur mirëqenien e njerëzve, duke e nisur me përcaktimin ligjor të minimumit jetik.

“Shqiptarët që e kanë të domosdoshëm përcaktimin nga ana e qeverisë të minimumit jetik, duhet të kuptojnë se me këtë qeveri jo vetëm minimum jetik nuk do të kenë, por nuk do të kenë asnjë shpresë që të dalin nga varfëria”. Fjalia nuk është e imja. Po citoj Edi Ramën në opozitë 10 vjet më parë, kur premtonte lugën ë floririt për të gjithë.

Unë e kam një përgjigje pse sot nuk ka një minimum jetik. Përtej politikës, që ka konfirmuar se ju jeni një qeveri e paaaftë dhe e korruptuar, në Shqipëri nuk ka akoma edhe pas 9 vitesh në qeveri të Partisë Socialiste, sepse ju nuk keni minimumin e ndjeshmërisë njerëzore.


Shtuar 5.12.2022 17:58