Miliarderët parisienë nuk heqin dorë nga Asllani, tundojnë Interin me një propozim të ri

Kristjan Asllani ka dy javë kohë për të vendosur se ku do të vazhdojë karrierën e tij, për të mos rrezikuar që të mbyllë që tani sezonin duke u kthyer në një spektaktor në pankinë apo tribunë në muajt në vijim.

Ai nuk bën pjesë as në planet e Torinos dhe as në planet e Interit ndaj duhet të gjejë një sistemim të ri, por deri tani, ka kthyer mbrapsht propozimet që i kanë ardhur. Një prej tyre kishte ardhur nga Franca, ku klubi i Paris FC, i cili ka si pronar një prej njerëzve më të pasur në botë, Bernard Arno. Klubi në fjalë, falë investimeve të familjes Arno dhe bashkëpunimit me kompaninë Red Bull, është ngjtiur në elitë dhe tani kërkon të bëjë hapin cilësor.

“Footmercato” raporton se pavarësisht refuzimit fillestar të Asllanit, klubi francez nuk është tërhequr. “Sipas burimeve tona, edhe drejtuesit e Interit janë në favor të një transferimi përfundimtar këtë dimër, për të ringjallur karrierën e futbollistit. Ndonëse një marrëveshje me transferim përfundimtar mbetet opsioni i preferuar, mund të merret në konsideratë edhe huazimi me të drejtë blerje për të lehtësuar marrëveshjen”, shpjegon portali francez i cili gjithashtu theksoi se përveç skuadrave italiane, për të interesohen edhe klube turke e gjermane.

Kësisoj, del në pah fakti se Paris FC është gati të shpenzojë për të blerë kartonin e futbollistit shqiptar dhe jo thjesht ta huazojë atë, duke e shtyrë Interin që të ketë një vëmendje më të madhe ndaj një marrëveshje të mundshme dhe të tentojë të bindë Asllanin të thotë “po”. Paris FC është në vitin e parë në Ligën 1 dhe si objektiv ka mbijetesën, por nëse vazhdon përforcimet cilësore, mund të kthehet në një të ardhme të afërt në një prej protagonistëve në këtë kampionat.


Shtuar 18.01.2026 23:42

Tags: