Meta ndez një qiri në kujtim të viktimave të Holokaustit

Që nga viti 2005, 27 Janari është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.

Më 27 Janar 1945 ushtarët e Ushtrisë së Kuqe çliruan në Poloninë e pushtuar atëherë nga nazistët kampin nazist të shfarosjes Auzhvic-Birkenau. Sipas të dhënave në këtë kamp u vranë të paktën 1,1 milionë hebrenj.

Meta, përmes një postimi në Facebook, shkruan se me shumë kënaqësi ka përshëndetur nëpërmjet një video-konference aktivitetin ndërkombëtar me temë “Një botë në udhëkryq”, të organizuar në Izrael me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit. Ai gjithashtu ka ndezur një qiri dhe shkruan se Shqipëria ishte vendi në të cilin numri i hebrenjve ishte më i madh pas se para Luftës së Dytë Botërore, dhe në veçanti për harmoninë tonë unike ndërfetare, shembull për mbarë botën.

Postimi i Metës:

Me shumë kënaqësi përshëndeta nëpërmjet një video-konference, aktivitetin ndërkombëtar me temë “Një botë në udhëkryq”, të organizuar në Izrael me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit.

U bashkova lutjeve dhe nderimit të kujtimit për miliona jetë të humbura gjatë periudhës së errët të Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar domosdoshmërinë për të qëndruar të palëkundur në mbrojtje të idealeve të tolerancës, të drejtave të njeriut, lirisë së besimit dhe integritetit njerëzor, që duhet të mbizotërojnë mbi tragjeditë e së kaluarës pa u lejuar të përsëriten më.

Ndava krenarinë për Kodin e Nderit të kombit shqiptar, BESËN, për faktin se Shqipëria ishte vendi në të cilin numri i hebrenjve ishte më i madh pas se para Luftës së Dytë Botërore, dhe në veçanti për harmoninë tonë unike ndërfetare, shembull për mbarë botën.


Shtuar 27.01.2022 20:25