Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka përcjellë ngushëllime familjeve dhe miqve të katër personave që humbën jetën në një aksident tragjik në Greqi. Mes viktimave ishin tre shqiptarë, ndërsa Kurti shprehu pikëllim të thellë për lajmin e vdekjes së tyre.
Në një postim në Facebook, ai bëri të ditur se aksidenti ndodhi në fund të muajit të kaluar dhe u mori jetën avokates së re shqiptaro-amerikane Florida Hoxha, bashkëshortit të saj Ian Kirkpatrick, vëllait Florin Hoxha dhe bashkëshortes së këtij të fundit, Eris Cani. Kjo e fundit ishte në muajin e pestë të shtatzënisë.
Të lidhura
None found
Duke kujtuar Floridën, Kurti u kthye te takimi me të në New York vitin e kaluar, gjatë vizitës së tij zyrtare për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai tregoi se Albanian Professionals and Entrepreneurs Network (APEN) e kishte ftuar në një bashkëbisedim me pjesëtarë të mërgatës shqiptare të rajonit, aktivitet ku Florida ishte njëra prej moderatoreve.
Kreu i qeverisë e përshkroi avokaten si një figurë që i bënte nder diasporës shqiptare dhe që kishte një rol të rëndësishëm në komunitetin dhe profesionin e saj. Në atë takim, në mesin e të pranishmëve ishin edhe Florini dhe Erisi.
Sipas Kurtit, megjithëse njohja me Floridën dhe pjesëmarrësit e tjerë zgjati vetëm disa orë, ajo kohë mjaftoi për të dalluar cilësitë që e kishin bërë aq të vlerësuar nga miqtë, kolegët dhe klientët. Ai veçoi optimizmin, idealizmin, trajtimin e kujtdo me respekt e si të barabartë, si dhe angazhimin e saj për të krijuar lidhje të qëndrueshme ndërmjet mërgimtarëve shqiptarë në ShBA dhe vendeve prej nga vinin.
Kurti e cilësoi ndarjen nga jeta të Floridës, Ian, Florinit dhe Erisit si një humbje të rëndë për të gjithë njerëzit në jetën e të cilëve kishin lënë gjurmë. Ai theksoi se këta katër profesionistë të rinj kishin dhënë shumë brenda një kohe të shkurtër dhe synonin të bënin edhe më tepër në të ardhmen. Në përmbyllje, u shprehu ngushëllime të përzemërta të afërmve dhe miqve të tyre, duke uruar që jeta e tyre shembullore të mbetet e paharruar.






