“Messi më fajësoi gabimisht për goditjen me bërryl që mori”

Scott McTominay thotë se Lionel Messi gabimisht e fajësoi atë për bërrylin që ylli i Barcelonës mori në një ndeshje të Ligës së Kampionëve me Manchester United.

Gjigantët katalanas mundën Unitedin me rezultatin e përgjithshëm 4-0 në çerekfinale në 2019, me Messin që shënoi dy herë në ndeshjen e dytë.

Në ndeshjen e parë, Messi u përfshi në një përplasje me mbrojtësin e “Djajve të Kuq”, Chris Smalling, ku mori një goditje me bërryl në fytyrë, si pasojë e të cilës mbeti i gjakosur.

Scott McTominay ka treguar se si në fillim Messi mendoi se goditjen e mori nga ai, derisa u pyet edhe se kush është lojtari më i mirë në botë dhe tha për ESPN: “Messi, 100 përqind. Po, Messi, Messi. Kam marrë fanellën e tij, e di?”.

“Kur kam luajtur kundër tij me Barcelonën [në 2019], Chris Smalling e goditi atë me bërryl dhe atij i doli gjak nga hunda. Ai mendoi se isha unë”.

Më pas tregon se si ka kërkuar ndihmë nga shoku i skuadrës, Sergio Romero, portier edhe i Argjentinës, që ta bindë Messin se nuk e ka goditur ai dhe se e do patjetër fanellën e tij.

“I thashë Sergio Romeros: ‘Ju lutem a mund të flisni me Messin që të marrë fanellën e tij?”.

“Sergio u kthye nga unë dhe më tha; ‘Oh, ai mendon se ti ishe ai që e goditi me bërryl në gjysmën e fushës’. Unë i thashë; ‘Jo, jo, jo, jo – tregoji se nuk isha unë, prandaj sigurohu që unë të kem fanellën e tij sepse më duhet patjetër në dhomën e gjumit’. Kështu që ai e di tani që nuk isha unë që e goditi”.


Shtuar 2.04.2021 16:51