Reperi i njohur me emrin e artit, Fero, Feronit Shabani, është deklaruar fajtor se goditi me duar në shpinë të dëmtuarin A.A i cili më pas ishte detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan. Ai ka dal të enjten në Gjykatën Themelore dhe ka pranuar fajësinë, duke thënë se është pajtuar me të dëmtuarin Abazi dhe se i ka kërkuar falje.
Pasi i akuzuari e ka pranuar fajësinë, prokurorja i propozoi gjykatës që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
“Sipas aktakuzës, më 20 gusht 2021, ne rrugën e “Malishevës” në Gjilan, i pandehuri Feronit Shabani pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin A.A, me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore, ashtu që i pandehuri fillimisht ndalet me veturë e tij para të dëmtuarit dhe pas një mosmarrëveshje verbale, del nga vetura dhe të njëjtin e godet me duar në shpinë.
Aktakuza thotë se për shkak të lëndimeve të pësuara, i dëmtuari kërkon ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, sipas raportit mjekësor kualifikohen si dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin”, shkruan Betimi për Drejtësi.
Kujtojmë që Fero para disa javësh pati një sherr me producentin dhe menaxherin e njohur, Jetmir Agaj. Reperi dhe truproja e tij dyshohet se kërcënuan me armë Agajn, në studion muzikore të këtij të fundit. Pasi u shpallën në kërkim, reperi dhe truproja u vetëdorëzuan në polici.