Janë mbledhur delegatët e parë te Pallati i Kongreseve, aty ku do të mbahet Kuvendi i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nis punimet në orën 10:00.
Në Kuvend pritet të marrin pjesë 1100 delegatë të zgjedhur nga degët e Partisë Demokratike në të gjithë vendin.
Në Kuvend do të jenë dhe anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatet e rinisë dhe gruas dhe numri shkon në 1800 delegatë.
Gjatë punimeve, Kuvendi i PD-së do të zgjedhë edhe Këshillin e ri Kombëtar të PD-së.
Janë zbardhur emrat e 420 kandidatëve për postet në Këshillin e ri Kombëtar të PD-së, që do të jenë shumë prej ish-deputetëve të Partisë Demokratike pas vitit 2013, si Arben Imami, Myqerem Tafaj, Rudina Hajdari, Myslim Murrizi, ish kandidatët për kreun e PD, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, mjeku Ilir Alimehmeti, artistët Bleona Qerreti, Renis Gjoka, Julian Deda, ish-kandidatët e zgjedhjeve të 6 marsit, gazetarët Floriana Garo, Fjoralba Dizdari, Patrik Sadikaj.
Në listë vërehet rikthimi i Arben Imamit, apo edhe një prej mbështetësve të Lulzim Bashës, ish-kryebashkiaku i Kavajës Isa Sakja. Ajo që bie në sy është se në këtë garë, “Rithemelimi” ka rikthyer emra të larguarish, figura të vjetra të PD-së, ish-ministra, ish-deputetë, por edhe artistë, mjekë, etj. Gjithashtu në listë janë edhe figura të reja në garë për një vend në Këshillin Kombëtar.
Më poshtë gjeni dhe rendin e ditës
Do të ketë 20 folës, prej të cilëve figura të rikthyer në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj. Parashikohet që votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të nisë në orën 13:00. Kuvendi do të propozojë ndryshime statutore dhe do të votojë për Këshillin e ri Kombëtar.
Komisioni i Rithemelimit ka ftuar deputetët e Partisë Demokratike të marrin pjesë ditën e nesërme në Kuvendin e 30 prillit. Ne një mesazh dërguar të gjithë ligjvënësve demokratë, u kërkohet që si delegatë të konfirmojnë edhe prezencën e tyre dhe t’i bashkohen Kuvendit për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur.
“I nderuar Deputet i Partisë Demokratike,
Nesër, ditë e shtunë, datë 30 prill 2022 zhvillon punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në bazë të Nenit 42 të Statutit të PD, ju jeni delegat në Kuvend. Kuvendi hap punimet në orën 10:00. Hyrja tek Pallati Kongreseve nga ana e Hotel Rogner, pjesa anësore. Jeni të lutur të tërhiqni mandatin pranë recepsionit në selinë e Partisë Demokratike. Lutem konfirmimin e prezencës nga ana juaj në nr. 0683273805. Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur!”, thuhej në meszhin e “Rithemelimit drejtouar deputetëve./albeu.com