Emisioni investigativ ‘Piranjat’, kanë depozituar në SPAK padi për shpërdorim detyre dhe shpifje për kryetaren e komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani.
Ristani, u kap në shkelje nga ‘Piranajt’, pasi këto të fundit faktuan se bashkëshorti i kryebashkiakes në detyrë të Tiranës, lëvizte me makinën e Bashkisë Tiranë për të shkuar në punë në Presidencë.
Por, pas publikimit të emisioni investigativ, Ristani hodhi akuza ndaj ‘Piranajve’ duke i quajtur si “përndjekës”, “shantazhues” dhe “gjobaxhi”.
“Është detyrim i yni profesional t’u shkojmë deri në fund këtyre akuzave për të nxjerrë të vërtetën, për të vërtetuar para publikut se çfarë fshihet pas tyre, viktimizimi i një politikaneje apo përpjekja për t’i mbyllur gojën medias investigative”, theksohet në deklaratën e Piranajve.
Deklarata e plotë e Piranjave:
Sot Piranjat depozituan në SPAK padi ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit, për shpërdorim detyre dhe shpifje.
Kallëzimi për shpërdorim detyre sigurisht që është detyrim ndaj interesit publik të cilin zonja kryetare duhet të përfaqësojë, ndërsa ai për shpifje lidhet me etiketimet e saj ndaj Piranjave si “përndjekëse”, “shantazhuese” dhe “gjobaxhie”.
Është detyrim i yni profesional t’u shkojmë deri në fund këtyre akuzave për të nxjerrë të vërtetën, për të vërtetuar para publikut se çfarë fshihet pas tyre, viktimizimi i një politikaneje apo përpjekja për t’i mbyllur gojën medias investigative.
Po ashtu besojmë se ky është një standard i ri, ndoshta i domosdoshëm, për të gjitha mediat televizive apo të shkruara.
Ne inkurajojmë kolegët që të jenë të gatshëm të mbrojnë veten ligjërisht dhe të faktojnë çdo investigim të tyrin.
Vetëm kështu mund të dalim nga rrethi vicioz politiko-mediatik i realitetit kaotik të Shqipërisë së viteve të fundit.
Makinën e bashkisë në dispozicion të burrit, “Piranjat” çojnë në SPAK Anuela Ristanin.