Majko i përgjigjet PD-së për votën e emigrantëve: Gëzuar ditën e gënjeshtrave

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike, e cila mëngjesin e sotëm u shpreh në një deklaratë për mediat se qeveria nuk iu ka garantuar emigrantëve të drejtën për të votuar në 25 prill.

Majko shkruan në Facebook se kanë qenë përfaqësuesit e opozitës, ata që  në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzuan të kalojnë aktet nënligjore për votën e shtetasve jashtë vendit.

Sipas Majkos, PD edhe pse premtoi se do të studionin projektet lidhur me këtë çështje zgjodhën heshtjen refuzuese, ndërsa më tej shkruan gëzuar ditën e gënjeshtrave.

“Partia Demokratike zgjodhi datën 1 PRILL për të akuzuar me deklaratë se qeveria “ka dështuar me votën e emigrantëve”. Që në muajin janar të këtij viti, përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzojnë të kalojnë aktet nënligjore për votën e shtetasve jashtë vendit (jo votën e emigrantëve”).

Me gjithë premtimet se do “studionin” projektet e shkruajtura në bashkëpunim edhe me përfaqësuesit e organizatave në diasporën shqiptare, patën paturpësinë të kishin si përgjigje heshtjen refuzuese!Gëzuar ditën e gënjeshtrave! Votoni ndryshimin dhe blini librin “Misioni im”! URIME!”, shkruan Majko.

Shtuar 1.04.2021 03:04